Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak sot ka udhëtuar në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ata kanë biseduar për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, e veçanërisht për rëndësinë e Marrëveshjes së Brukselit, e cila është nënshkruar nëntë vjet më parë.
Presidenti serb ka thënë se “kanë kaluar nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe se ende nuk ka progres në zbatimin e obligimeve të marra nga Prishtina, para së gjithash në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak ka thënë se do të vazhdojë të jetë plotësisht i angazhuar në vazhdimin e dialogut të udhëhequr nga BE pa vonesa të mëtejshme, duke shtuar se anëtarët e BE presin që të dyja palët të zbatojnë gjithçka për çfarë janë marrë vesh gjatë procesit të dialogut në dhjetë vjetët e fundit.
“Presidenti serb e ka falënderuar Miroslav Lajçakun për përkushtimin e tij, duke shtuar se ai është gjithmonë i mirëpritur në Serbi”, ka kumtuar Zyra për media e presidentit serb.













