Parolin: Rusia ishte gati t’i ofronte azil Maduros
Për ditë të tëra, kardinali i fuqishëm italian ishte përpjekur të fitonte akses te Sekretari i Shtetit Marco Rubio, tregojnë dokumentet, në një përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar gjakderdhjen dhe destabilizimin në Venezuelë.
Në bisedën e tij me Burch, një aleat i ngushtë i Trump, Parolin tha se Rusia ishte gati t’i ofronte azil Maduros dhe iu lut amerikanëve të ishin të duruar në shtyrjen e tij drejt asaj zgjidhjeje.
“Ajo që iu propozua atij ishte që ai të mund të largohej dhe të shijonte paratë e tij”, tha një person i njohur me propozimin rus.
“Pjesë e asaj marrëveshjeje ishte që Vladimir Putin do të garantonte sigurinë e tij”.
Por kjo nuk ndodhi. Një javë më vonë, Maduro dhe gruaja e tij u kapën nga Forcat Speciale Amerikane në një operacion që kushtoi jetën e rreth 75 personave dhe u dërguan me aeroplan në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për trafik droge.
Takimi i panjohur më parë në Vatikan ishte një nga shumë përpjekje të dështuara – nga amerikanët dhe ndërmjetësit, rusët, turqit, Kisha Katolike dhe të tjerë – për të shmangur një krizë diplomatike dhe për të gjetur strehë të sigurt për Maduron përpara operacionit amerikan për ta kapur atë të shtunën.
Vatikani: Të zhgënjyer që pjesë të bisedës konfidenciale u publikuan
“Është zhgënjyese që pjesë të një bisede konfidenciale janë publikuar dhe nuk pasqyrojnë me saktësi përmbajtjen e vetë diskutimit, i cili u zhvillua gjatë periudhës së Krishtlindjeve”, tha zyra e shtypit e Vatikanit në një deklaratë për mediat amerikane. Zëdhënësi i Birch ia drejtoi pyetjet Departamentit të Shtetit, i cili nuk pranoi të komentojë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Paralajmërimi i fundit për Maduron
Raporti, i bazuar në intervista me gati 20 persona, shumë prej të cilëve folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedave dhe informacionit, përfshin detaje të reja rreth përpjekjeve të gjera ndërkombëtare për ta dëbuar Maduron në mërgim dhe për të parandaluar një ndërhyrje ushtarake amerikane, si dhe vendimin e administratës Trump për të punuar me nënpresidentin aktual të Venezuelës në vend të udhëheqësit të opozitës të cilin Uashingtoni e ka mbështetur prej vitesh.
Javët dhe muajt që çuan në atë ditë ishin të mbushura me mundësi të humbura për Maduron, një ish-shofer autobusi dhe një nga “caudijos”-ët e fundit të Amerikës Latine, i cili dukej i pavetëdijshëm se sa e pasigurt ishte bërë pozicioni i tij. Refuzimi i shumë “daljeve emergjente” të mundshme, ndërsa anijet luftarake amerikane filluan të godisnin anijet që dyshohej se ishin të përfshira në trafikun e drogës në brigjet e Venezuelës dhe retorika amerikane u ashpërsua, përfundimisht do të vuloste fatin e tij.
Përpjekjet për të siguruar një rrugëdalje për Maduron vazhduan deri në minutën e fundit. Ai mori një paralajmërim të fundit vetëm disa ditë para operacionit të SHBA-së për ta kapur atë, sipas një personi të njohur me propozimin. Por udhëheqësi autokratik refuzoi të lëvizte.
“Ai nuk do ta pranonte marrëveshjen”, tha një person tjetër me njohuri për çështjen. “Ai thjesht u ul aty dhe pa të tjerët të krijonin një krizë”, shtoi ai.
Sfida e Machados, zgjedhja e Rodriguezit dhe roli i CIA-s
Në të njëjtën kohë, SHBA-të po finalizonin një plan për pasardhësin e tij, duke e kthyer vëmendjen te numri 2 i Maduros, zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez. Ishte një ndryshim i habitshëm për Presidentin Donald Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë kishte vendosur sanksione ndaj Rodriguez dhe vëllait të saj të fuqishëm, Jorge, të cilët Uashingtoni në atë kohë i konsideronte anëtarë të regjimit të Maduros.












