Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se Eurodeputetja Von Cramon ka thënë atë që na është bërë e qartë nga miqtë strategjik të Kosovës, që marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.
Haliti në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se qeveria po mundohet taktikisht ta mjegullojë çështjen e Asociacionit.
“Zonja Von Cramon, ka thënë ate që na është bërë e çartë nga miqtë strategjik të Kosovës, me qinda herë që marrëveshjet e nënshkruara paraprakisht duhet të zbatohen. Qeveria taktikisht po përpiqet që ta mjegullojë çështjen e Asociacionit”, tha Haliti.
Tutje ai thotë se edhe Kosova por edhe Serbia kanë arritur në pikën e mosbesueshmërisë nga partnerët ndërmjetësues.
“Të dyja palët Kosova e Serbia kanë arritur në pikën e mosbesueshmërisë nga partnerët ndërmjetësues, prandaj edhe BE në dokumentin. Statuti i ka lënë vetes disa kompetenca të cilat reflektojnë mosbesimin ndaj të dyja palët lidhur me marrëveshjet dhe zotimet që kanë bërë përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë. Ky mosbesim ka prodhuar Arbitrazhin e BE, i cili do qëndroj mbi kokat e të dyja palëve”, shtoi ai.
Deputeti thotë se Asociacioni është obligim nga i cili Kosova nuk mund të ndryshoj qëndrim pasi që nuk i lejohet.
“Sipas qëndrimeve të ditura e të proklamuara nga ndërmjetësuesit Asociacioni është obligim nga i cili Kosova s’mund të ndryshoj qëndrim, sepse nuk do lejohet”, u shpreh Haliti.
Haliti tutje shtoi se Cramon e solli një mesazh miqësisht i cili është brengosës për Kosovën, pasi që pa implementimin e Asociacionit, vendit nuk do ti hapen dyert e integrimit dhe mbështetjes për zhvillim ekonomik.
“Duke pasur parasysh këto çështje dhe ato që qëndrojnë të padeklaruara, Zonja Von Crameron solli një mesazh miqësisht dhe brengosës që Kosovës nuk do i hapen dyert e integrimit dhe mbështetjes për zhvillim ekononok, pa implementimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, ashtu siç i janë vënë kushte edhe Serbisë për integrim në BE”, përfundoi Haliti për Gazeta Blic.













