Sot është bërë një vit që kur është votuar qeveria “Kurti 2”.
Që nga ajo kohë e deri më sot opozita në vazhdimësi ka hedhur kritika ndaj kësaj qeverie, duke thënë se Kurti ka ndryshuar qasje.
Madje, as edhe premtimet e dhëna nuk është duke i realizuar
E, kritika të shumta janë hedhur ndaj qeverisë “Kurti 2”, edhe nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Haliti, për FrontOnline thotë se mos anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë, investimet nga jashtë, njohjet e reja, dialogu janë vetëm disa nga dështimet e kësaj qeverie e për të cilat për një vit nuk është bërë asgjë.
“Në planin ndërkombëtar, raportet me jashtë janë të këqija për faktin se ne nuk kemi akoma asnjë njohje që dy vjet dhe nuk jemi askund të anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, kjo është njëra prej dështimeve të tij”, është shprehur Haliti, për FrontOnline.
Ndërsa, kur flet për siç thotë ikjen e të rinjve nga vendi, thotë se kjo po ndodhë për shkak se këta të fundit po largohen pasi që nuk po gjejnë punë.
“Në anën tjetër ne kemi një ikje masive të të rinjve nga Kosova për shkak se nuk po gjejnë mundësi për t’u punësuar, nuk po gjejnë mundësi që të kenë një jetë të garantuar në Kosovë”, ka thënë Haliti.











