Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për menaxhimin e sistemit shëndetësor, duke përmendur rastin e një gruaje që vdiq nga kanceri pasi për rreth katër muaj kishte mbetur pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë.
Ymeri ka thënë në Kuvend se trajtimi me këtë ilaç mund ta kishte ngadalësuar përparimin e sëmundjes.
Ajo i është drejtuar ministrit Vitia, duke e kritikuar për mungesën e barnave dhe për rritjen e rasteve të reja me tumore.
“Ka pasë me u ngadalësu përparimi i sëmundjes e në mungesë të hapit nuk është bërë. Ministër, nuk e di qysh flen natën kur dikush në gjoks e ka kancerin e ju e rregulloni mindilin”, ka thënë Ymeri.
Ajo ka pretenduar se rastet e reja me tumore janë rritur për më shumë se 42 për qind, duke ia atribuar përgjegjësinë edhe menaxhimit të shëndetësisë gjatë kohës kur Vitia ka qenë në krye të ministrisë.
“Me këtë plan efikas nuk kish mujt me qenë as plani i armikut për zhdukjen e këtij populli”, ka deklaruar Ymeri në Kuvend.















