Një arsenal i konsiderueshëm armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake është sekuestruar nga Policia e Kosovës në zonat përreth tri lokacioneve ku së fundmi janë zbuluar varreza masive në Zubin-Potok.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili gjatë një konference për media tha se armatimi është gjetur në afërsi të vendeve ku gjatë gërmimeve janë zbuluar mbetjet mortore të 23 personave.
Sipas Sveçlës, në njërin lokacion janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në të dytin të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë janë zbuluar mbetjet e gjashtë personave.
Ministri e lidhi zbulimin e armatimit dhe varrezave masive me një hetim të gjatë institucional, duke theksuar se forcimi i sundimit të ligjit dhe shtrirja e institucioneve të Kosovës në veri kanë ndihmuar në zbardhjen e këtyre rasteve.
“Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se veriu i vendit, përveçse ishte skenë e krimeve dhe maltretimeve, ishte përdorur edhe për fshehjen e trupave të viktimave.
Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të viktimave dhe kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës.












