
Bashkimi Evropian e konsideron prioritet organizimin e rundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk dha ndonjë datë për një takim të tillë, duke thënë se data do të bëhet publike në një kohë të të përshtatshme.
Stano paralajmëron po ashtu se dështimi i palëve në këtë rast i autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja.
Një ditë më parë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut, duke mos dhënë më shumë detaje.
Stano nuk ka dhënë asnjë datë për takimin e radhës mes palëve në kryeqendrën evropiane, por shtoi se një takim i tillë pritet të mbahet sa më parë.
Stano i pyetur lidhur me mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga Kosova javën e kaluar, përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve.











