
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është përfshirë në debatin për rritjen e çmimeve.
Ai i ka quajtur “praktikantë” ministrat e deputetët e LVV-së të cilët sipas tij punën e parë e kanë në institucione.
Por në një moment, në tentim që t’i paraqesë si të papërvojë deputetët e pozitës, ish-ministri e ka ofenduar kryetarin e tij.
“Po ju drejtohem deputetëve e këtyre ministrave të VV-së, praktikantë të Riinvestit…”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar buzagaz pas deklarimit të Zemajt. Abdixhiku vet njihet si kuadër i kolegjit Riinvest dhe ushtron funksionin e profesorit në këtë kolegj.
Nëpër të njëjtin kolegj, kanë kaluar si funksionarë edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, si dhe dy ish-ministrat e LDK-së, Muhamet Mustafa e Skënder Hyseni.












