Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, njëherësh përfaqësues i subjektit të ri në vend, Lista për Familjen, ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një prononcim për IndeksOnline, Rrahmani theksoi se partia që ai përfaqëson nuk do të marrë pjesë në marrëveshje apo aleanca të përkohshme me parti të tjera, duke nënvizuar ruajtjen e pavarësisë politike dhe të qëllimeve të tyre programore.
“Duke marrë parasysh që ne veç sa kemi filluar rrugëtimin tonë politik si subjekt i ri dhe për shkak të mungesës së strukturave, nuk kemi dashur të bëhemi pjesë e planeve e pazareve të partive të tjera politike. Ne e kemi identitetin dhe kauzën tonë, të cilën do ta mbajmë me përkushtim”, deklaroi Rrahmani.
Lista për Familjen është një nga partitë më të reja në skenën politike kosovare dhe, sipas Rrahmanit, synon të ndërtojë një platformë të qëndrueshme larg kompromisit politik që, sipas tij, shpesh sakrifikon parimet për interesa afatshkurtra.