Pa incidente por me numër të ulët të votuesve, të dielën e 23 prillit në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet.
Me gjithsej 1500 votues pjesëmarrës, nga gjithsej 45 mijë persona me të drejtë vote, fitues u zgjodhën kandidatët e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Për zgjedhjet në veri, situatën tani atje, formimin e institucioneve dhe mundësinë për të pasur sërish zgjedhje, për Gazeta Blic ka folur gazetari dhe analisti serb, Branislav Kërstiq.Ai thotë se me një rezultat të tillë, çdo parti do të refuzonte ta pranonte rezultatin dhe mbetet të shihet nëse këtë do ta bëjë PDK-ja.
“Çdo parti me karakter demokratik në botën e qytetëruar me një rezultat kaq simbolik zgjedhor do të refuzonte të pranonte rezultatet e zgjedhjeve. Se a do ta bëjë PDK-ja, mbetet të shihet në ditët në vijim”, thotë ai.Sipas Kërstiq, nuk mund të pritet që popullsia shumicë që bojkotoi pothuajse 100 për qind zgjedhjet, ta pranojë në pushtet këtë grup lokal jolegjitim.
“Nuk është realiste të pritet që popullsia shumicë, e cila bojkotoi zgjedhjet thuajse 100 për qind, të pranojë këtë grup lokal jolegjitim në pushtet. Është realiste të pritet mosbindje e plotë civile e banorëve të veriut të Kosovës”, thekson ai për Gazeta Blic.Ai pyet se për kë dhe çfarë interesi janë organizuar këto zgjedhje, duke shtuar se nëse insiston Qeveria e Kosovës, do të formohet qeveria e re lokale.
“Pyetja themelore është se për kë dhe me çfarë interesi janë organizuar këto zgjedhje. Nëse Qeveria e Kosovës insiston, atëherë do të formohet qeveria e re lokale”, vlerëson Kërstiq.Analisti shton se Qeveria e Kosovës nuk ka mekanizma për bindjen e serbëve për të zbatuar vendime të njëanshme dhe se ajo e humbi mundësi që Lista Serbe të mposhtet në këto zgjedhje.
“Është e qartë se autoritetet në Prishtinë nuk kanë mekanizma për të bindur serbët që të zbatojnë ndonjë vendim të njëanshëm. Fakti është se Qeveria e Kosovës humbi mundësinë që Lista Serbe të mposhtet në këto zgjedhje”, shton ai për Gazeta Blic.Sipas Kërstiq, ka qenë e nevojshme të ftoheshin në takim me ndërkombëtarët lëvizjet opozitare, partitë dhe aktivistët e pavarur dhe t’u jepej mbështetje dhe kështu do të kishte mijëra serbë që do të merrnin pjesë në zgjedhje.
“Ishte e nevojshme vetëm të ftoheshin lëvizjet opozitare, partitë dhe aktivistët e pavarur në një takim me partnerët ndërkombëtarë një muaj para zgjedhjeve dhe t’u jepej atyre mbështetje e qartë. Nëse kjo do të ishte bërë sot, do të kishim disa mijëra serbë që morën pjesë në zgjedhje dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor”, vlerëson analisti.Por, ai thotë se në kuptimin “merre ose leje”, qeveria e Kosovës vetëm sa i homogjenizoi serbët dhe madje edhe ata që prej vitesh ishin kundër Listës Serbe, hoqën dorë nga zgjedhjet.
“Fatkeqësisht, në kushtet e “masave të boshtit të majtë” ose me kuptim “merre ose leje”, autoritetet në Prishtinë vetëm sa i homogjenizuan serbët, kështu që edhe ata që me vite ishin kundër Listës Serbe dhe politikave të kabinetit të presidentit serb hoqën dorë nga procesi zgjedhor”, deklaron Branislav Kërstiq./Gazeta Blic/