Meqenëse mbajtja e një referendumi nuk lejohen në Republikën e Kosovës, kryeministri Albin Kurti është pyetur nëse mbajtja e zgjedhjeve e nënkupton të njëjtën gjë, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, për të cilën shefi i qeverisë e kundërshton haptazi.
Kurti ironikisht pyeti se ‘çfarë zgjedhjesh?’, teksa tregoi me një humor se zgjedhje të brendshme ka pasur në Lëvizjen Vetëvendosje vitin e kaluar, kurse më 2021 ishin mbajtur ato parlamentare dhe lokale, raporton Paparaci.
“Çfarë zgjedhjesh, zgjedhje në 2022 ka pasur në LVV, në 2021 ka pasur zgjedhje parlamentare dhe lokale. Nuk mund të vendos Serbia për Kosovën. Së shpejti e kremtojnë 15-vjetorin e Pavarësisë, ne jemi krenarë me të arriturat, sidomos në këto dy vitet e fundit”, tha ai para gazetarëve, të mërkurën.
Sa i përket temës së asociacionit, Kurti tha se kur është një-etnik është i pamundur dhe e shkel kushtetutën e vendit.
U shpreh se qoftë si kryeministër apo aktivist politik, e ka për detyrë ta mbrojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.
“Tash s’mund të bëhet ashtu. Ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës. Serbia duhet të na kompensojë për dëmet në njerëz dhe në të mira materiale. Nuk mund ta përzgjedhës një marrëveshje nga 32 gjithsej sa janë nënshkruar para se unë të vija në qeveri”, vijoi Kurti.
Gjithashtu, Kurti theksoi se nëse Serbia dëshiron të ketë zgjedhje njëetnike, atëherë le ta provojë në shtëpinë e saj.












