Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.
Këtë e konfirmoi zyrja e presidentes përmes një komunikate për media, të publikuar vetëm para pak çastesh.
Siç bëhet e ditur, ky takim ka qenë në kuadër të informimit për zhvillimet në veri të vendit.
Ministri Sveçla e njoftoi të parën e vendit për atë se si rrodhën gjërat gjatë ditës së sotme, teksa kujtojmë faktin se detaje të hollësishme dha edhe gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti.
“Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Më poshtë edhe komunikata e plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Ministri Sveçla ka njoftuar Presidenten Osmani për hapat e ndërmarra për sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes se funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri të vendit.
Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës./Nacionale












