Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar për RTV21 se lajmet që kanë qarkulluar dje për mos shtrenjtim të tarifave te energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin apo jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhën vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës, ku Kosova dhe bizneset bëjnë shit-blerjen e saj.
ZRRE-ja tha për RTV21 se aplikimet për shtrenjtim të tarifave të operatoreve energjetik si KOSTT, KEDS, KESCO janë në fazën e shqyrtimit.
“Informacioni i shpallur lidhet me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe konfirmimin e tarifave për vitin 2026, të cilat do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën paraprake. Ky vendim nuk ka të bëjë me tarifat për operatorët e tjerë të energjisë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, të cilat janë ende subjekt i një procesi të rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale.”
Ndërsa një vendim për shtrenjtim apo jo te rrymës për te gjithë konsumatorët pritet të merret në muajin mars. Ndërkohë qytetarët do të pranojnë faturat e energjisë elektrike me tarifa të reja që nga muaji prill. Ditë më parë është konfirmuar se KESCO ka kërkuar një shtrenjtim të rrymës prej 21%, një ndër arsyetimet e tyre ishte edhe rritja e pagës minimale fillimisht prej 425 euro e më pas 500 euro.













