
Zëvendësministri i infrastrukturës Hysen Durmishi ka folur për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, punimet e së cilës janë ndalur së fundi, pasi është shkëputur marrëveshja me kontraktorin.
Durmishi ka thënë se tani duhet të bëhet kontrata me një kontraktor të ri dhe se nuk e di sa do të zgjasë por që rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe jo më herët.
“Fillimisht bëhet prerja e punimeve nga kontraktori paraprak dhe pastaj duhet bërë kontrata me kontraktorin e ri. Nuk dihet se sa do të zgjasë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kontraktori i ri t’i respektojë afatet kohore të parapara në kontratë. Nuk mund të përfundohet puna para ardhjes së bashkatdhetarëve por shpresojmë që të përfundojë brenda këtij muaji”, u shpreh Durmishi në emisionin Mirëmëngjesi me Arben Ahmetin në Kanal10.
Ai tha se rruga me kontraktorin e kaluar do të duhet të përfundonte në muajin prill por që kompania nuk i ka respektuar afatet.
“Rruga është dashur të përfundojë në muajin prill por që kontraktori nuk i ka respektuar afatet dhe kjo është arsyeja pse është shkëputur kontrata. Afati është 9 muaj nga nisja e punës me kontraktorin”, tha ai.












