Zyra e Kryeministrit ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se ndaj Albana Shala-Bunjakut, e cila është emëruar drejtoreshë e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kishte ekzistuar një aktakuzë aktive në kohën kur ajo u transferua në këtë institucion.
Në përgjigjet për Insajderin, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve se nëpunësja civile kishte aktakuzë aktive në momentin e transferimit të saj.
Lidhur me mënyrën e emërimit, Zyra e Kryeministrit ka sqaruar se përzgjedhja e Shala-Bunjakut është bërë përmes procedurës së transferit të përhershëm të një nëpunësi civil, në interes të institucionit, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Zyrën e Kryeministrit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në pyetjen nëse ekzistojnë rregulla që trajtojnë emërimin e zyrtarëve ndaj të cilëve zhvillohen procedura penale, Zyra e Kryeministrit ka thënë se kjo çështje rregullohet me Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 08/L-294.
Sa i përket emërimit të Shala-Bunjakut në krye për Administrimin e Pronës Publike, pavarësisht aktakuzës që kishte ekzistuar ndaj saj, Zyra e Kryeministrit është përgjigjur se ekziston një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Apelit në favor të saj.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Gjykata e Apelit e ka liruar Shala-Bunjakun nga akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi nuk është vërtetuar se ajo ka kryer vepër penale.
Albana Shala-Bunjaku ishte emëruar drejtoreshë e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pas transferimit të saj nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Para emërimit të saj, ndaj Shala-Bunjakut ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me një vendim të marrë në vitin 2022, kur ushtronte detyrën e zëvendësdrejtoreshës së Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 shkurt 2025, ajo akuzohej se kishte tejkaluar kompetencat zyrtare duke miratuar një ankesë të një tatimpaguesi dhe duke e liruar atë nga detyrimet tatimore për dy prona në Ferizaj, veprim që, sipas Prokurorisë, i kishte shkaktuar dëm financiar prej rreth 87 mijë eurosh Raiffeisen Bankës.
Megjithatë, më 25 shtator 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi Shala-Bunjakun nga akuza, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ajo kishte kryer veprën penale. Ky vendim u ankimua nga Prokuroria Themelore, ndërsa edhe Prokuroria e Apelit kërkoi kthimin e çështjes në rigjykim.
Gjykata e Apelit, megjithatë, e refuzoi ankesën e Prokurorisë dhe e vërtetoi aktgjykimin lirues. Në arsyetimin e saj, Apeli konstatoi se Gjykata Themelore kishte shqyrtuar në mënyrë të plotë provat dhe se nuk ishte arritur të provohej, përtej dyshimit të arsyeshëm, se Shala-Bunjaku kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.













