Çlirim Shaiqiri, zyrtar policor nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë është dëshmitari i dytë i Prokurorisë në rastin “Banjska”.
Ai gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka marrë lëndime të rënda si pasojë e sulmit dhe vazhdon ende të marrë trajtim mjekësor.
“Gjatë ditës së 23 shtatorit kemi pasur detyra të rregullta. Në pjesën e paradites gjendja ka qenë e qetë, nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme. Pasi kemi përfunduar ndërrimin kemi vazhduar në bazën e Kushovës… Pasi kemi bërë zëvendësimin e kolegëve në ora 20 kemi vazhduar me detyra ku diku pas një ore kemi marrë një informatë përmes dhomës komanduese për një veturë të dyshimtë. Kemi vazhduar në patrullim, vetura ka qenë me targat KM ngjyrë hiri. Gjatë asaj kohe vetura është verifikuar nga dhoma komanduese. Dhe më pastaj kemi vazhduar me detyra të rregullta si zakonisht deri në orarin e asaj pike, në orën 2 e 10”, ka thënë ai.
Shaqiri tutje ka treguar për shkuarjen në Banjskë.
“Pasi kemi pranuar zëvendësimin, kemi vazhduar në drejtim të bazës së Kushtovës bashkë me kolegët Mirsad Kryeziu edhe Alban Rashiti dhe rrugës për në fshatin Basnjskë kemi vërejtur dy kamionë të cilët e kanë bërë bllokimin e rrugës, kemi tentuar të kontaktojmë më dhomën komanduese për bllokimin e rrugës por s’ka pas valë dhe nuk ka punuar radiolidhja. Kemi kërkuar një vend me të përshtatshëm për të dhënë informatën, ku ka valë për radiolidhje dhe i kemi informuar për bllokimin e rrugës. Pasi kemi dhënë informatën në dhomën komanduese na është thënë që të kthehemi në fshatin Banjskë për të marrë pamje që për çështje operative t’i dërgojmë që me e pa si është gjendja. Kur kemi kontaktuar me dhomën komanduese kanë thënë se po vinë disa patrulla nga Stacioni i Zveçanit dhe kanë thënë se do ju kontaktojë nënkolonel Veton Elshani”, ka thënë ai.
Tutje ka dëshmuar se rreth orës 3 në lokacion ka shkuar patrulla nga stacioni i Zveçanit në krye me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjaku.
“Në ato momente kemi bërë një komunikim mes kolegësh ku kemi ndarë pozicione ose detyra. gjatë komunikimit me zyrtarin Rashiti më është thënë që të qëndroj te vetura gjersa kanë vazhduar zyrtarët e tjerë për kontrollim të kamionëve. Në ato momente më ka kontaktuar Veton Elshani në telefon ku i kam treguar se ka ardhur patrulla dhe gjatë bisedës me të kanë ndodhur dy shpërthime të njëpasnjëshme, kam arritur t’i them në telefon se ka gjuajtje, pasi ato kanë filluar menjëherë dhe kam marr pozicion mbrojtjeje”, ka thënë ai.