
Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 12 muaj burgim me kusht i akuzuari për falsifikim të votave, Granit Halilaj.
Bashkë me të, në këtë rast po akuzohen edhe ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Dardan Gashi.
Shpallja e aktgjykimi ndaj të akuzuarit Halilaj, u bë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi i rastit Vesel Ismaili.
“Trupi gjykues pas përfundimit të seancës së shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë konform nenit 358, paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në emër të popullit shpall këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit Granit Halilaj me shënime personale si në shkresat e lëndës për veprën falsifikim i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të njëjtin e shpall fajtor dhe e dënon me dënim burg me kohëzgjatje prej 12 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale gjatë periudhës kohore prej 12 muajve të verifikimit”, tha gjykatësi Ismaili.











