Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, konfirmon se analisti i njohur pro-qeveritar, Gazmir Raci, do të paguhet 2 mijë euro në një projekt, që Ministria thotë se financiohet nga Bashkimi Evropian.
Gazeta Insajderi, raporton se Raci është përzgjedhur në pozitën “Zyrtar i Antenës për Sekretariatin e Përbashkët Teknik (SPT) për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi- Kosovë në kuadër të IPA III (2021 – 2027)“.
“Paga bruto për këtë pozitë sipas Kontratës për Asistencë Teknike IPA III/2024/455-567 të dakorduar nga strukturat operative dhe miratuar nga Delegacioni i BE-së në Kosovë është 2000 euro bruto. Pagat për stafin e jashtëm si dhe të gjitha shpenzimet që lidhen me zbatimin e programit mbulohen vetëm nga fondet e BE-së“, i kanë thënë Insajderit nga MAPL-ja.
Sipas Ministrisë, konkursi ishte hapur më 3 prill 2024 dhe Raci ishte kandidati i vetëm.
Në ditën kur kryeministri Albin Kurti kishte shkuar për takim në Bruksel me Aleksandër Vuçiqin për atë që njihet si ‘Marrëveshja e Brukselit’, Raci do të bëhej viral për mbështetjen interesante që do t’ia jepte Kurtit.
‘Stay strong brother’ do të shkruante Raci dhe do ta ilustronte përkrahjen me një zemër në fund.














