Shqiptimi i gjobave për shoferët që thyejnë rregullat në trafik bëhen shpesh herë shkas që qytetarët të revoltohen dhe të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Bashkim Fehmiu’ në Prishtinë, ku një qytetar i revoltuar me shqiptimin e një tikete, dyshohet se ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës, polici ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që 34-vjeçari i dyshuar është arrestuar.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.












