Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim lidhur me rastin e vdekjes së 40-vjeçarit Visar Muriqi, i cili humbi jetën në tetor të vitit 2024 pas shpërthimit të një bombole gazi në hapësirat e kompanisë “Delta Group”.
Siç merr vesh Gazeta Insajderi, pronari i kompanisë “Delta Group”, Vesel Jusaj, është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 24 mijë euro gjobë.
Vendimi është marrë pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth dy vjet.
Rasti kishte ndodhur më 11 tetor 2024 në Pejë, kur një bombol gazi shpërtheu në hapësirat e pompës së derivateve “Delta Group”, duke i shkaktuar vdekjen 40-vjeçarit Visar Muriqi.
Muriqi ishte ftuar nga biznesi për të bërë shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që ajo të përdorej për derivate tjera. Në momentin kur kishte nisur punën në bombolën, e cila ndodhej nën tokë, ajo kishte shpërthyer.
Si pasojë e shpërthimit, viktima ishte goditur nga vala shpërthyese dhe kishte pësuar lëndime të rënda, duke gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.
Pas rastit, Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj biznesmenit Vesel Jusaj nën dyshimin për veprën penale “asgjësim, dëmtim apo heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Jusaj ishte arrestuar dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Prokuroria kishte argumentuar se ekzistonte rreziku i përsëritjes së veprës dhe pengimit të hetimeve.
Sipas Prokurorisë, një dëshmitar kishte deklaruar se Jusaj kishte tentuar të ndikonte te punëtorët e tjerë për ndryshimin e dëshmive.
Masa e paraburgimit më tej i ishte ndryshuar në atë të arrestit shtëpiak, për t’u pasuar më pas me dënimin e sotëm.
“Delta Group” figuron në ARBK si pronë e vëllezërve Vesel dhe Shkëlqim Jusaj.
Kundër këtij aktgjykimi, siç rëndom ndodhë palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Vdekja e punëtorit nga eksplodimi i gazit – aktakuzë kundër biznesmenit Jusaj dhe “Delta Group”
Arrestohet pronari i pompës ‘Delta Group’ – ku vdiq punëtori pas shpërthimit të cisternës













