Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) ka urdhëruar Komunën e Skenderajt që ta pastrojë lumin Klina, në fshatin Klinë e Epërme, pas evidentimit të mbeturinave përgjatë shtratit të tij
“Përkundër pastrimeve të realizuara disa herë gjatë këtij viti, hedhja e mbeturinave nga qytetarë të papërgjegjshëm ka vazhduar”, thuhet në njoftimin e ministrisë, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Njoftimi:
Ministria obligon Komunën e Skenderajt për pastrimin e lumit Klina!
Inspektorati i MMPH-së ka inspektuar gjendjen përgjatë lumit Klina, në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, ku janë evidentuar mbeturina të hedhura përgjatë rrjedhës së lumit, në një gjatësi prej rreth 250 metrash.
Përkundër pastrimeve të realizuara disa herë gjatë këtij viti, hedhja e mbeturinave nga qytetarë të papërgjegjshëm ka vazhduar.
Inspektorati i Ministrisë ka urdhëruar Komunën e Skenderajt dhe Drejtorinë e Inspektoratit që, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, të bëjnë pastrimin e kësaj hapësire, të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj personave që ndotin pronën ujore, si dhe të parandalojnë përsëritjen e këtyre rasteve. Komuna është e obliguar të raportojë për veprimet e ndërmarra.
Mbrojtja e lumenjve është përgjegjësi e përbashkët!














