Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur me 3 mijë euro kompaninë “Triovetura Corporation” SH.P.K., pas ankesës së një konsumatori për mungesën e disa pajisjeve përcjellëse në veturën e blerë. Vendimi i datës 22 maj 2026, i siguruar nga Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike, pasoi inspektimin e ndërmarrë nga autoritetet pas ankesës së konsumatorit të 7 majit.
Gjatë inspektimit në lokacionin e kompanisë në Prishtinë, inspektorët konstatuan se vetura e porositur nga Koreja e Jugut nuk ishte dorëzuar me të gjithë aksesorët e paraparë në kontratë dhe në video-inspektimin e prezantuar nga kompania. Pajisjet që mungonin ishin kutia e ndihmës së parë, shkuma për riparimin e gomës dhe kompresori i ajrit. Sipas IQMT-së, kompania ishte obliguar që brenda shtatë ditësh t’i përgjigjej konsumatorit dhe ta njoftonte Inspektoratin, por nuk e kishte përmbushur këtë detyrim. Institucioni vlerësoi se barra e dëshmimit të pajisjeve të paraqitura në ofertë i takon shitësit dhe jo konsumatorit.
Në arsyetimin e vendimit, Inspektorati konstatoi se kompania kishte shpërfillur edhe urdhëresën e dhënë pas procesverbalit të inspektimit, duke evidentuar shkelje të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Për këtë arsye, ndaj “Triovetura Corporation” u shqiptua gjobë prej 3 mijë eurosh.
Në një përgjigje për Insajderin, kompania ka kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procedurës, duke pretenduar se vendimi fillestar ishte shfuqizuar nga organi i shkallës së dytë për mangësi në vërtetimin e gjendjes faktike dhe arsyetimin e përgjegjësisë. Sipas saj, pas kthimit të çështjes në rivendosje, Inspektorati kishte shqiptuar sërish të njëjtën masë. Kompania ka theksuar se kontrata e atëhershme nuk përmbante përcaktim të qartë për përjashtimin e aksesorëve të lëvizshëm nga dorëzimi i veturës, por ka thënë se kishte zgjedhur të mos e vazhdonte kontestimin e vendimit.
Triovetura ka bërë të ditur se, pas këtij rasti, ka përditësuar kontratat e shitblerjes, duke zgjeruar garancionin për pjesët jo-shpenzuese dhe duke saktësuar se aksesorët personalë e të lëvizshëm nuk përfshihen domosdoshmërisht në dorëzim, përveç rasteve kur shitësi vendos t’i lërë në veturë. Kompania ka sqaruar se ky rregull nuk vlen për pajisjet kryesore të përfshira shprehimisht në ofertë apo detyrimet ligjore. Mungesën e aksesorëve e ka arsyetuar me faktin se veturat e importuara nga Koreja e Jugut janë të përdorura dhe se pajisjet personale të pronarëve të mëparshëm mund të mos përfshihen në shitje.











