Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin në orët e para të mëngjesit, ku 80-vjeçarja Liza Dushi është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj, ndërsa bashkëshorti i saj, 81-vjeçari Bardhi Dushi, është arrestuar nën dyshimin për “Vrasje të rëndë”.
Alarm në mesnatë, Liza Dushi gjendet pa shenja jete
Rasti është raportuar rreth orës 01:30 në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren. Pas informatës, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i Urgjencës, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e 80-vjeçares.
Në shtëpi ndodhej edhe bashkëshorti i saj, Bardhi Dushi, i cili është shoqëruar në stacionin policor. Sipas të dhënave policore, në momentin e incidentit çifti ka qenë vetëm në shtëpinë e tyre.
Sinjali raportoi ekskluzivisht për lëndimet në trup
Sipas informacioneve që Sinjali raportoi ekskluzivisht, gjatë shikimit të jashtëm të trupit të Liza Dushit janë evidentuar lëndime dhe rrethana të tjera që kanë ngritur dyshimin se vdekja e saj mund të ketë qenë e dhunshme.
Të dhënat ekskluzive të siguruara nga Sinjali bëjnë të ditur se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, përkatësisht me duar.
Deri më tani, nuk ka të dhëna për përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër në rast.
Në vendngjarje edhe Krimet e Rënda dhe IML-ja
Pas pranimit të informatës, në vendngjarje kanë dalë hetuesit policorë, ekipi i kriminalistikës, hetuesit e vdekjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, Bardhi Dushi dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij duke ushtruar dhunë fizike dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes.
Bardhi Dushi ndalohet për 48 orë
Bardhi Dushi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Çifti nuk kishte raste të raportuara të dhunës
Një tjetër element me rëndësi për hetimin është fakti se, sipas evidencave të Policisë së Kosovës, mes Liza dhe Bardhi Dushit nuk rezultojnë raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje.
Po ashtu, sipas të dhënave policore, në momentin e incidentit çifti ndodhej vetëm në shtëpinë e tyre.
Obduksioni pritet të japë përgjigjet kryesore
Trupi i pajetë i Liza Dushit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku është urdhëruar obduksioni.
Ekzaminimi mjekoligjor pritet të ndihmojë në përcaktimin përfundimtar të shkakut dhe mënyrës së vdekjes, ndërsa hetimet do të synojnë të sqarojnë edhe rrethanat e sakta në të cilat ndodhi ngjarja.
Për momentin, motivi mbetet i panjohur.
Ajo që dihet deri tani është se një 80-vjeçare është gjetur e pajetë brenda shtëpisë së saj në Prizren, ndërsa bashkëshorti i saj është ndaluar nën dyshimin për vrasjen e saj.
Sinjali raportoi ekskluzivisht për detajet e para nga ekzaminimi i trupit, ndërsa tashmë hetimet pritet të zbardhin se çfarë ka ndodhur gjatë asaj nate brenda shtëpisë së çiftit dhe cilat kanë qenë rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të Liza Dushit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














