Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, në FRONTAL të T7 ka folur për takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shkruan Gazeta Express.
Haliti ka thënë se të enjten do të shihet nëse ky takim ka qenë i frytshëm, meqë në rend të ditës do të jenë për votim disa marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat PDK ka marrë vendim prej kohësh që të mos i votojë.
Deputeti i VV-së ka thënë se të enjten do të shihet nëse do të ketë lëvizje nga një pozicion i tillë i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Se a ka qenë me bereqet do ta shohim të enjten kur është seanca e kuvendit të Kosovës, ku kemi një mori marrëveshjesh ndërkombëtare që s’marrin ratifikim, meqë duhen edhe votat e opozitës.
Sic jeni të njoftuar PDK ka disa muaj që refuzon të merr pjesë në çdo lloj votimi edhe për ligje të thjeshta, e aq më shumë për ligje ndërkombëtare. Të enjten do ta shohim nëse kanë lëvizur nga qëndrimi për marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Haliti në FRONTAL të T7.












