Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me 7 muaj burgim dhe 400 euro gjobë të akuzuarin Safet Smajoviq për dhënie të ryshfetit.
Aktgjykimi dënues ndaj tij është shpallur të premten, nga gjykatësi i rastit Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të pandehurit me aktvendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, kurse do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Në seancën fillestare të mbajtur po sot i akuzuari Smajoviq e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej.
Në këtë rast i akuzuar është edhe Qazim Mustafa, por meqë i akuzuari Smajeviq pranoi fajësinë ndaj tij u veçua procedura.
Sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Qazim Mustafa po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, më 24 prill 2024, në orën 11:00, në parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës ka pranuar dhuratë për vete.
Mustafa në cilësinë e inspektorit të ATK-së, thuhet se ka pranuar dhuratë për vete, dhe atë shumën në vlerë prej 130 euro, të cilat i janë gjetur në xhepin e djathtë të palltos, të cilat para janë sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Safet Smajoviq akuzohet se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të aktakuzës në formë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar, në atë mënyrë që ai të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë, thuhet se Smajoviq derisa ka qenë në Terminalin Doganor në Mitrovicë, me kamionin e tij, me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e mallit, i kishte dhënë 130 euro të pandehurit Qazim Mustafa.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Smajoviq ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.













