Më 16 shtator, Haga pritet të jehojë nga zëri i mërgatës shqiptare, e cila po mobilizohet për të shprehur mbështetjen e fuqishme për krerët e UÇK-së, në ditën kur pritet të shpallet vendimi në rastin e tyre.
Atdhetari i shquar, Hektor Beqiri, përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se mërgata shqiptare do të jetë e pranishme pranë gjykatores në Hagë, duke përcjellë një mesazh të qartë të solidaritetit dhe mbështetjes.
“Mërgata shqiptare sërish do të dëshmojë se është forca dhe zëri i fuqishëm i Kosovës”, shkruan Beqiri, duke paralajmëruar një tubim të madh të shqiptarëve më 16 shtator.
Sipas tij, mijëra shqiptarë do të mblidhen pranë gjykatores për të përcjellë një mesazh të përbashkët për krerët e UÇK-së: “Nuk jeni vetëm! Kosova dhe të gjithë shqiptarët janë me ju!”
Beqiri thekson se, pas gjashtë vitesh përballje dhe pritjeje, prania e mërgatës në Hagë do të jetë një dëshmi e mbështetjes së pandalshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Më 16 shtator, Haga nuk do të dëgjojë vetëm një vendim. Do të dëgjojë zërin e fuqishëm të mërgatës shqiptare”, shprehet ai.
Në fund të postimit, Beqiri ka paralajmëruar se detajet e tjera lidhur me organizimin në Hagë do të bëhen të ditura me kohë.
“Bashkë për çlirimtarët. Bashkë për Kosovën.”













