Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

“Ngacmimet seksuale” në veri midis alarmeve dhe propagandës

13/06/2025 - 19:11
në Kryesore, Lajme, Pa kategori
A A
“Ngacmimet seksuale” në veri midis alarmeve dhe propagandës
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Dhjetra organizata të shoqërisë civile në veri, ashtu sikundër edhe media të caktuara në gjuhën serbe, i kanë kthyer në ushqim ditor raportimet për ngacmime të pretenduara seksuale në pjesën veriore të Kosovës. Insinuimet kanë shkuar deri atje sa të ngrihen edhe aludime në kurriz të uniformave të institucioneve të sigurisë. Por, tabloja që del nga tre përgjegjësit kryesorë për veriun – Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i – nuk i përgjigjet as për së afërmi alarmit të ngritur. Përkundrazi, misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit ka vlerësuar masat e Policisë së Kosovës dhe vigjilencën e saj kundër çdo lloj ngacmimi. A po përsëritet 1987-a dhe fantazmagoria seksuale siç e quajnë disa studiues?

Col Mehmeti

13 qershor 2025 – Një përshëndetje në serbisht “Dobar Dan”, e pastaj edhe një prezantim “Ja sam D…”, ka bërë që një burri 41-vjeç t’i vihen prangat nga Policia e Kosovës.

Me rastin tashmë të nismuar për veprën penale ‘Ngacmim seksual’, një femër serbe të enjtën është ankuar se në rrugën ‘Vlade Cetkoviq’, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, është ngacmuar nga një i panjohur, i cili më pas ka bërë përpjekje ta prekë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ç’prej tetorit të vitit të kaluar, togfjalëshi në serbishte seksualno uznemiravanje (ngacmime seksuale) ka fituar popullaritet të gjerë.

I përdorur së pari herë nga drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, termi paraprin lajme për ngacmime të pretenduara seksuale në veri të Kosovës.

Media në Serbi e në veri të Kosovës thuajse në baza ditore shkrehin raportime të tilla.

Së fundmi, edhe organizata joqeveritare nga kjo pjesë iu kanë rënë kambanave të alarmit për ngacmime të pretenduara seksuale.

Disa syresh, madje, nuk kanë ngurruar të insinuojnë edhe uniformat e Policisë së Kosovës.

Fishkëllima nga vetura, komente të pacipa, ndalime apo ndjekje nga prapa, janë përshkrimet e vegullta në narrativën që po qarkullon te një pjese e mediave dhe OJQ-ve serbe.

Por, cila është tabloja e vërtetë në këtë pjesë të Kosovës dhe a i përgjigjen raportimet e kësisojta gjendjes në terren?

Ç’po ndodh në veri të Kosovës?

Në bazë të një hulumtimi të sipërmarrë nga gazeta NACIONALE, njoftimet e gjertanishme, së paku në formën e afishuar nga mediat në gjuhën serbe dhe OJQ-të lokale, zor që e përligjin mëtimin kryesor për fushatë të mirëorganizuar ngacmimesh seksuale.

Njësoj i pathemeltë del edhe pandehma tjetër e tyre se institucionet e sigurisë po e bëjnë veshin e shurdhër karshi rasteve të tilla.

Në tetor të vitit të kaluar, një grup informal i grave nga kjo pjesë e Kosovës stivuan mbi 30 dëshmi nëpërmjet të të cilave pretendohej “ngacmimi seksual” ndaj vajzave e grave serbe.

Për këtë gjë u tha, qysh atëherë, se janë vënë në dijeni KFOR-i, EULEX-i, si dhe ambasadat perëndimore në Kosovë.

Fill pas kësaj, 415 gra vunë nënshkrimet e tyre në një peticion me të cilin kërkohej mbrojtje prej KFOR-it.

KFOR-i: Për këtë gjë flet vetëm Policia e Kosovës

Por, në një përgjigjje për gazetën Nacionale, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk ka konfirmuar pranimin e njoftimeve të tilla.

Sipas këtij misioni, rastet konkrete (ngacmimet – v.j) janë jashtë mandatit të tij dhe se Policia e Kosovës është vendi ku duhet të adresohen ato.

“Policia e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Kësisoj, ne ju drejtojmë te Policia e Kosovës për informacione apo komente rreth rastit specifik që keni ngritur, i cili është jashtë mandatit të KFOR-it.”

Duke dënuar cilëndo formë të ngacmimit, misioni i NATO-s në Kosovë ka përkujtuar angazhimin e vet nëpërmjet aktiviteteve në kuadër të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“KFOR-i dënon fuqimisht cilëndo formë të ngacmimeve, përfshirë edhe ngacmimet seksuale. Në këtë drejtim, KFOR-i është i përkushtuar fuqishëm në zbatimin e agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria,” është thënë në përgjigjjen me shkrim të këtij misioni.

“Ne vazhdojmë të zbatojmë mandatin tonë – mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuar në një mjedis të sigurtë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë ashtu sikundër edhe për lirinë e lëvizjes; në të gjithë kohën, paanësisht, dhe në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”

EULEX: Mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Policia e Kosovës

Ndërkohë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, ka thënë se ka pranuar raste të pretenduara e raportuara për ngacmime seksuale në gjithë Kosovën, përfshirë edhe njoftimet që e përshkruajnë një gjendje në përkeqësim e sipër në veri të Kosovës.

“Ne kemi pranuar informacione në lidhje me rastet e pretenduara dhe të raportuara për ngacmime seksuale gjithandej Kosovës, përfshirë edhe njoftimet që e përshkruajnë një gjendje në përkeqësim e sipër për gratë dhe vajzat – veçmas në veri të Kosovës, dhe ne po i marrim këto pretendime tepër seriozisht”, është thënë në përgjigjjen e EULEX-it për NACIONALE.

“Ngacmimet seksuale të grave dhe vajzave janë formë serioze e dhunës gjinore dhe cenim i papranueshëm i të drejtave të njeriut. Mbështetur në kuadrin ligjor të Kosovës, dhuna e tillë është shkelje penale e ndëshkuar me gjobë dhe burgim deri në tre vjet.”

Në përgjigjjen e vet, ky mision ka bërë me dije se do të vazhdojë rolin e vet këshillues me Policinë e Kosovës, përfshirë Drejtorinë Rajonale në Veri-Mitrovicë, për të “promovuar veprime konkrete në drejtim të një pune këmbëngulëse në parandalim dhe përgjigjje me kohë, ashtu sikurse edhe fuqizim të përpjekjeve për policimin e komunitetit.”

“Në këtë drejtim, ne mirëpresim hapat e fundit të ndërmarrë nga Policia e Kosovës për të adresuar ngacmimet seksuale, përfshirë planin e tyre të njoftuar së fundmi për zhvillimin e aktiviteteve të informimit publik me qëllim të rritjes së vetëdijes së komunitetit për kuadrin ligjor që rregullon veprën penale të ngacmimit seksual, çfarë përfshin ai, dhe si raportohet ai, ashtu sikurse edhe ndërmarrja e masave të nevojshme për të inkurajuar të gjithë banorët, gratë dhe vajzat në veçanti, për të raportuar menjëherë cilindo rast ngacmimi në Policinë e Kosovës dhe për të mundësuar një mjedis të sigurtë e mbështetës që një gjë e tillë të bëhet me kohë, dinjitet e me qasje që ka në qendër viktimën.”

EULEX-, sipas përgjigjes së tij, do të vazhdojë të mbikëqyrë raste të përzgjedhura penale, kur ato të jenë raportuar tek autoritetet përkatëse, “me qëllim të identifikimit sistematik të shqetësimeve në trajtimin e këtyre rasteve, që pastaj të sillen në vëmendjen e autoriteteve relevante me thirrjen për të reaguar urgjentisht.”

“Ne e konfirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur për të mbështetur përpjekjet e institucioneve dhe shoqërisë në Kosovë drejt çrrënjosjes së të gjitha formave të dhunës gjinore nëpërmjet mbikëyqrjes sonë ngulmuese të rasteve të caktuara penale”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.

Patrullime me civilë e me kamera

Më fund të majit, Policia e Kosovës përvijoi planin e saj operativ në Mitrovicën e Veriut për raportimet e ngacmimeve seksuale në rrugë.

Sipas këtij plani, Policia ka angazhuar njësi të reja patrulluese nëpër rrugët kryesore të qytetit, operacion ky i përforcuar me 14 oficerë policorë të veshur civilë.

Këto patrulla përbëhen nga dy oficerë, njëri prej të cilëve mban kamerë në trup, ose të paktën njëri prej tyre është serbishtfolës.

Pavarësisht kësaj, media serbe nuk kanë ngurruar të hedhin insinuime edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si gjoja të përfshirë në ngacmime seksuale.

NACIONALE është interesuar nëse Policia e Kosovës ka pranuar ndonjë rast ku të jetë përfshirë ndonjë pjesëtar i saj në ngacmime të tilla. Në Inspektoriatin Policor të Kosovës (IPK) nuk është adresuar asnjë rast i tillë.

“IPK ju njofton se nuk ka pranuar ndonjë ankesë të kësaj natyre këtë vit dhe nuk është duke proceduar ndonjë rast për ngacmime seksuale në veri,” thuhet në përgjigjjen me shkrim të IPK-së.

OJQ-të…

Derisa tabloja që del nga tri institucionet relevante të sigurisë në pjesën veriore të vendit – Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i – flet për vigjilencë maksimale për parandalim të ngacmimeve seksuale, OJQ-të dhe mediat serbe në veri duken më të interesuara për beteja ditore.

Javë më parë, Gurakuç Kuçi nga Instituti ‘Octopus’ paralajmëroi se Serbia, pas dështimit të sulmeve terroriste në Banjskë e Zveçan, ka vënë në përdorim mjete të “fuqisë së butë”, duke mos kursyer as akuzat në drejtim të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, organizata joqeveritare në veri të vendit, duke apostrofuar OJQ-në “Aktiv”, po përpiqen të krijojnë një narrativë të re në kuadër të një lufte hibride.

“Duke i paraqitur në këtë formë shqiptarët dhe Policinë e Kosovës, atëherë e deligjitmojnë (Policinë – v.j) si strukturë dhe e shtyjnë përpara reagimin e KFOR-it dhe EULEX-it që të marrin më shumë kontroll në veri të Kosovës”, kishte thënë mes të tjerash Kuçi.

Kjo deklaratë kishte mjaftuar si vegëz që 13 organizata të shoqërisë civile – nën kryesimin e “Aktiv” – t’i kundërviheshin Kuçit.

Madje, një pjesë e këtyre organizatave të shoqërisë civile (CASA, NSI, InTER, ACDC, dhe Aktiv) kishin gjetur kohë të ‘dyluftonin’ nga distancë edhe me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.

Si sebep kishte shërbyer një paraqitje e tij në “Kallxo Përnime” ku kishte thënë se akuzat në drejtim të Policisë së Kosovës mund të jenë pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar reputacionin e Policisë së Kosovës.

Përsëritje e 1987-s?

Në fundvitet ’80 kur nacionalizmi serb kishte nxjerr krye, shtypi në Beograd e përdorte dendurisht togfjalëshin “seksualno uznemiravanje” në kronikat për Kosovën.

Në qendër të tyre ishte mëtimi se shqiptarët po bënin zullum mbi serbët, duke i shënjestruar gratë e vajzat serbe që iu nënshtroheshin ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Raportimet e asokohshme, në NIN, Vjesnik e Danas, dilnin nga caqet e zhurnalizmit dhe fqinjëronin në kufijtë e histerisë, siç dëshmohet nga ilustrimet provokative ose titujt keqinformues.

Ilustrim i artikullit “Kurva” i botuar në NIN, 25 tetor 1987.

Në gjysmën e tetorit 1987, katër mijë gra serbe e malazeze marshuan midis Prishtinës dhe para shtëpisë së ish-udhëheqësit komunist, Fadil Hoxha.

“Ne nuk jemi kurva, jemi nënat e motrat e bijve të Serbisë e Jugosllavisë”, ishte një nga pankartat e këtij marshimi.

Të tjera parulla nuk ishin kaq paqësore. “Vareni Hoxhën”, “Në Beograd,”, “Rrokni armët,” e “Hoxha, vrit veten, ose ne do të vrasim.”

Si sebep për këtë protestë, dhe për luftën e madhe të shtypit serb në Beograd, kishte shërbyer një deklaratë që iu mvesh Fadil Hoxhës ku ishte sugjeruar se gratë serbe janë prostituta.

Në një deklaratë me shkrim, ai kishte sqaruar se kishte bërë shaka kur kishte thënë se autoritetet duhet ta tolerojnë një sjellje më ‘liberale’ të kamariereve në motele private për t’i ulur rastet e dhunimit.

“Nuk e besoja që do të keqkuptohesha”, kishte thënë Hoxha që kishte mbajtur edhe postin e zëvendëspresidentit të Jugosllavisë.

Retorika etnonacionaliste

Ngjarjet e 1987-s sot e kësaj dite janë subjekt i shtjellimeve akademike si shembull sesi pretendimet për dhunime janë përdorur si strategji lufte.

“Shenjëstrimi i grave përmjet përdorimit të dhunimeve si strategji lufte është thellësisht e gërshetuar me procesin e ‘seksimit të kombit’”, shkruan Maria-Adriana Deiana në librin e saj Gender and Citizenship Promises of Peace in Post-Dayton Bosnia-Herzegovina.

Sipas saj, sulmet e pretenduara seksuale kundër grave përdoreshin si mjete për retorikë etnonacionaliste në Beograd.

“Përdorimi i kësaj retorike kthehet prapa në fillim të viteve ’80 kur media serbe qarkullonte pretendimet për dhunimin e grave serbe në duart e burrave shqiptarë në Kosovë. Nga fillimi, imazheria nacionaliste u mbars me elemente të asaj që Tanja Rener dhe Mirjana Ule e përcaktojnë si ‘fantazmagori seksuale.’ Storiet e pretenduara të grave të dhunuara nga ‘etniku tjetër’ u bënë element qendror i historisë nacionaliste që çoi në luftë”, shkruan studiuesja në fjalë.

JU REKOMANDOJMË

Sulmi i ri i Iranit ndaj Izraelit, Sky News publikon fotografi të momenteve kritike
Lajme

Sulmi i ri i Iranit ndaj Izraelit, Sky News publikon fotografi të momenteve kritike

14/06/2025 - 23:40
‘Aktivizohet’ Erdogan: Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë fund banditizmit izraelit
Lajme

‘Aktivizohet’ Erdogan: Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë fund banditizmit izraelit

14/06/2025 - 23:36
Sulmi në Haifa të Izraelit, 1 i vrarë dhe 13 të plagosur
Lajme

Sulmi në Haifa të Izraelit, 1 i vrarë dhe 13 të plagosur

14/06/2025 - 23:32
Jordania lëshon sirenat në Lindjen e Mesme, mbyll hapësirën ajrore
Lajme

Jordania lëshon sirenat në Lindjen e Mesme, mbyll hapësirën ajrore

14/06/2025 - 23:09
Pamje nga sulmi i ri i Iranit me raketa ndaj Izraelit, IDF: Miliona izraelitë janë nisur drejt strehimoreve
Lajme

Pamje nga sulmi i ri i Iranit me raketa ndaj Izraelit, IDF: Miliona izraelitë janë nisur drejt strehimoreve

14/06/2025 - 22:58
“Mbrojtja nuk është hermetike, hyni nëpër bunkerë”, Izraeli përballet me sulme të reja nga Irani
Kryesore

“Mbrojtja nuk është hermetike, hyni nëpër bunkerë”, Izraeli përballet me sulme të reja nga Irani

14/06/2025 - 22:51

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ky është i dyshuari që u arrestua nga Fast Kosova me urdhërresë të INTERPOL-it

    Ky është i dyshuari që u arrestua nga Fast Kosova me urdhërresë të INTERPOL-it

    117 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 29
  • Irani paralajmëron raketën “Khaibar” me rreze 2000 km: Bota do të befasohet

    110 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • Mushkolaj: Në PDK ka dy grupacione, Bedri Hamza, përbashkues i tyre!

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Trumpi e urdhëroi të pranojë marrëveshjen, përgjigjet Irani

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Ish kandidati i PDK-së për deputet, prezantohet nga Albin Kurti si kandidat i LVV për kryetar të Klinës

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë