Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas emërimeve të fundit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, duke akuzuar Qeverinë për sistemimin e familjarëve dhe personave të afërt në ambasada.
Bajrami ka përmendur tri raste: mbesën e ministrit Xhelal Sveçla në Washington, kushërirën e Luan Dalipit në Berlin dhe bashkëshorten e ish-bashkëpunëtorit të tij në Iowa.
Ajo ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se në kohën kur qytetarët po përballen me kriza të njëpasnjëshme dhe besimi në institucione është në nivelin më të ulët, pushteti po gjen kohë për t’i rehatuar miqtë dhe familjarët nëpër ambasada.
“Ju kanë mashtru. Krejt çka kanë premtu sot e bëjnë të kundërtën. Ju kanë mashtru e kanë dështu. E sa gjatë do ta jetojmë këtë mashtrim varet edhe nga Ju”, ka shkruar Bajrami.
Në reagimin e saj, ajo ka publikuar edhe një video të kryeministrit Albin Kurti, në të cilën ai fliste kundër sistemimit të familjarëve nëpër institucione, me deklaratën se “fisi është për dasma”. /Insajderi.org/














