Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka kthyer për në Serbi 110 tonë ushqim për kafshë për shkak të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar, importuar në Kosovë nga operatori ekonomik Haxhijaha Sh.P.K Rahovce, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Kjo kompani është në pronësi të Shkumbin e Alberin Haxhijahës.
Sasia mbi nivelin e lejuar të aflatoksinës B1 nënkupton se ky produkt përmbante përbërës kancerogjen.
Bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e AUV-së dhe të konfirmuara nga AGES në Austri është konstatuar se produkti ‘Koncentrat për lopë qumështore’ përmban aflatoksinë B1 në nivel prej 13 mikrogramë/kg, mbi nivelin e lejuar’. Gjithashtu, gjatë inspektimit është dokumentuar prania e mbetjeve të insekteve.
“Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, kryesisht të gjinisë Aspergillus që mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë. Ajo njihet për efektet e saj toksike dhe kancerogjene. Te lopët qumështore, aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1, e cila mund të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorëve.
AUV do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut për të parandaluar qarkullimin e produkteve jokonforme dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve, sigurinë e zinxhirit ushqimor dhe interesat e fermerëve dhe konsumatorëve.” – thuhet në njoftimin e AUV.
Komunikata e plotë:












