Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila tha se është absurde të interpretohet deklarata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në luftën politike të brendshme.
Në një postim të publikuar të dielën në platformën e tij Truth Social, Trump ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”, ka shkruar ai.
Kusari-Lila potencoi se aktualisht bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-në është më i ngushtë së kurrë, veçanërisht siç tha ajo në fushën e mbrojtjes.
Ajo tha se janë të përkushtuar në ngritje dhe forcim të partneritetit me të gjithë mekanizmat:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten pakontestueshëm partneri më strategjik i Replikës së Kosovës gjatë gjithë historisë së vet edhe gjatë së tashmes dhe të ardhmes. Aktualisht bashkëpunimi ynë është më i ngushtë se kurrë në veçanti në fushën e mbrojtjes siç e kemi marrë. Janë pak shtete të botës në administratën e re të presidentit Trump që kanë një marrëveshje siç e kemi ne tashmë. Ripërtëritje e deklaratës së presidentit Trump tashmë nga leximi unë e shohë edhe një referencë për marrëveshjen e kaluar për arsye se ai decitivisht ka parandaluar një konflikt të mundshëm midis Kosovës dhe Serbisë si rrjedhojë e diplomacisë së suksese të tij në atë referencë… Me të gjithë mekanizmat prej departamentit të shtetit dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, jemi të përkushtuar në ngritje dhe forcim të partneritetit. Kjo çfarë po ndodhë sot këtu aktualisht është përgjegjësi e një klase politike të përbashkët dhe të përdoret një deklaratë e presidentit Trump në luftën politike të brendshme më duket paska absurde”, tha Kusari-Lila.
Pas dështimit për të tridhjetë e tretën herë të seancës konstituive, Kusari-Lila tha se nëse kjo situatë vazhdon në një formë amullie të paqartë, tregon se mospjesëmarrja në votim e partive të tjera nuk përkon me përgjegjësinë të cilën e kanë marrë.
“Nëse kjo situatë vazhdon në një formë amullie të paqartë, atëherë po tregon që mospjesëmarrja në votim e tyre nuk përkon me përgjegjësinë të cilën e kanë marrë. Ne po votojmë, po ripërsëris për të 33-ën herë në këto 23 herët e fundit jemi duke votuar për procedurë jo për kandidaten për kryetare të kuvendit… Varet nga interpretimi i gjykatës së pari a do të jetë lënda e pranueshme dhe së dyti pastaj a do të kenë mundësi që të jenë në përputhje me aktgjykim nëse pranohet lënda”, tha Kusari-Lila.