Presidenti rus Vladimir Putin ka ofruar ndërmjetësim për të zbutur përplasjen ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje të vazhdueshme. Por oferta e tij u hodh poshtë me tone ironike nga presidenti amerikan Donald Trump, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh: “Putini më tha se donte të ndërmjetësonte. I thashë: ‘Bëj një nder – ndërmjetëso Rusinë më parë. Rregullo veten, pastaj fol për të tjerët’”.
Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme, ku kishte lënë të hapur mundësinë e ndërmjetësimit rus, Trump këtë herë theksoi se nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme ndërkohë që vetë Rusia ndodhet në një luftë brutale në Ukrainë.
Putin nga ana tjetër po përpiqet të paraqitet si një faktor stabiliteti në rajon. Rusia, që ka aleancë me Iranin dhe ka furnizuar ushtrinë e saj me dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës, mban gjithashtu lidhje diplomatike me Izraelin – një pozitë që teorikisht e bën të përshtatshme për ndërmjetësim.
Por sipas kritikëve ndërkombëtarë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, përpjekja e Putinit shihet si hipokrite. Macron ka theksuar se Rusia ka shkelur haptazi Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe vazhdon të mbajë një qëndrim agresiv në luftën me Ukrainën që nga viti 2022.