Sipas raportit financiar të audituar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vitin 2024, Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar të hyra në vlerë prej 2,337,168 eurosh, ndërsa shpenzimet e saj kapën shumën prej 1,805,296 eurosh.
Në raportin e auditimit janë evidentuar disa parregullsi lidhur me menaxhimin financiar të subjektit politik. Sipas auditorit, në disa raste të shpenzimeve mungon dokumentacioni i rregullt mbështetës – në vend të tij, Vetëvendosje ka paraqitur vetëm kupona fiskal, pa dokumente të tjera që do të arsyetonin shpenzimet e realizuara.
Po ashtu, është vërejtur se në disa raste faturat e shpenzimeve nuk janë lëshuar në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve ose menaxhmentit të partisë. Një praktikë e tillë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative, të cilat përcaktojnë se çdo shpenzim duhet të jetë i dokumentuar me faturë të rregullt të lëshuar në emër të subjektit politik.
Një tjetër gjetje lidhet me të hyrat nga anëtarësimet. Auditori konstaton se gjatë vitit 2024, LVV ka pranuar 493.50 euro në para të gatshme nga anëtarësimet, të cilat nuk janë deponuar në llogarinë bankare të partisë. Edhe pse kjo shumë përbën vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi përbën shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike (i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 08/L-122, Ligjin nr. 04/L-212 dhe Ligjin Nr. 04/L-058), si dhe të Rregullores Nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike, që kërkojnë që të gjitha transaksionet të kryhen përmes llogarisë së vetme bankare dhe të hyrat në para të gatshme të deponohen brenda 5 ditëve nga pranimi.
Auditori për VV-në: Mungesë dokumentacioni në disa raste e mosdeponim i të hyrave nga anëtarësimet