Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Afrim Reshanit nga Ferizaj, nën dyshimin se për tetë vjet ka ushtruar në mënyrë të kundërligjshme profesionin e mjekut dhe farmacistit, pa pasur diplomë të Fakultetit të Mjekësisë dhe pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Prokurorisë, Afrim Reshani gjatë periudhës 2016–2024, në ordinancat “Almed” dhe “Almedica”, ka ofruar shërbime mjekësore duke përdorur një diplomë të falsifikuar, sikur ishte lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ndonëse ai as nuk ka qenë ndonjëherë i regjistruar si student atje.
Me këtë dokument të falsifikuar, i pandehuri fillimisht themeloi ordinancën “Almed”, e më pas regjistroi një tjetër nën emrin e djalit të tij – “Almedica” – për të vazhduar aktivitetin e paligjshëm, duke përshkruar terapi, i prezantuar si internist-endokrinolog dhe duke përdorur faksimile mjekësore me emrin e ordinancës.
Përveç kësaj, Prokuroria thotë se i pandehuri ka pasur edhe barna me afat të skaduar dhe ka vazhduar punën edhe pasi Inspektorati Shëndetësor kishte vendosur shenja për ndërprerje të aktivitetit për shkak të mungesës së licencës.
Ai akuzohet se më 30 maj 2025, ka hequr shenjat zyrtare të vendosura nga inspektorati për të vazhduar aktivitetin ilegal.
Prokuroria e ngarkon atë me tri vepra penale, “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.