Më datë 12 korrik një person mbeti i plahosur rëndë në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, saktësisht në rrugën “Shala e Bajgorës”.
U raportua se i plagosur mbeti Fatmir Voca, i cili është qëlluar me armë zjarri derisa po ruante një pronë private brenda një kontenieri për qëndrim të përkohshëm. I plagosur, ai ka kërkuar ndihmë në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë dhe më pas është transferuar në QKUK – Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesje mjekësore dhe mbikëqyrje policore.
Pas një pune hetimore të intensifikuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Mitrovicë, janë identifikuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë tentimvrasje: Festim Ademi,rreth 40-vjeçar, Lirigzon Ademi, rreth 33-vjeçar dhe Fitim Ademi, rreth 40-vjeçar.
Lajmin për arrestimin e njërit nga të dyshuarit e ka dhënë Policia e Kosovës përmes një komunikate sot.
“I dyshuari F.A., 40-vjeçar, dyshohet se me datën 12 korrik 2025, është përfshirë në një rast të ndodhur në fshatin Gojbuljë të Vushtrrisë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ishte plagosur viktima mashkull/kosovar/shqiptar, i cili ishte duke ruajtur një pronë private. Viktima është dërguar për trajtim në QKUK, Prishtinë.” – thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas lëshimit të urdhër-bastisjeve nga Prokuroria, janë kontrolluar disa lokacione në fshatin Gojbulë, por dy nga të dyshuarit nuk janë gjetur, ndërsa nuk janë sekuestruar armë apo prova të drejtpërdrejta.