Rusia e kreu njërin nga sulmet më të mëdha ajrore këtë vit ndaj Ukrainës, duke hedhur 574 dronë e 40 raketa gjatë natës, tha të enjten Forca Ajrore e Ukrainës.
Në shënjestër të sulmit ishin kryesisht rajonet perëndimore të vendit, tha ushtria ukrainase. Sipas zyrtarëve, së paku një person u vra dhe 15 të tjerë u lënduan, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se Rusia goditi një “prodhues të madh amerikan të pajisjeve elektronike” në pjesën perëndimore të Ukrainës. Kryediplomati nuk dha hollësi të mëtejme.
Pjesët perëndimore të Ukrainës ndodhen larg vijës së frontit në lindje dhe jug të vendit. Besohet se një pjesë e madhe e ndihmave ushtarake që i dhurohen Ukrainës nga aleatët perëndimorë janë të vendosura në perëndim të vendit.
Ky ishte sulmi ajror i tretë më i madhi i Rusisë këtë vit në aspektin e numrit të dronëve të hedhur dhe i teti sa i përket numrit të raketave, sipas të dhënave zyrtare.
Sulmet ndodhën gjatë përpjekjes së përtërirë e të udhëhequr nga ShBA-ja për marrëveshje të paqes në luftën që nisi para më shumë se tre vjetëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, duke thënë se ai u krye “sikur nuk po ndryshonte asgjë”.
Moska nuk ka shfaqur shenja të ndjekjes së bisedimeve domethënëse për t’i dhënë fund luftës dhe Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kundërpërgjigjet me presion më të fortë, përfshirë sanksionet dhe taksat.
Rusia “çoi dëm disa raketa me drejtim kundër një biznesi amerikan”, shtoi presidenti ukrainas, duke theksuar se bëhet fjalë për një ndërmarrje të rregullt civile që prodhon pajisje si aparatet e kafesë. “Edhe kjo u bë cak i Rusisë. Kjo tregon shumë” –tha Zelensky.
Më herët, ai tha se Ukraina do të mbajë takime intensive për të marrë vesh se çfarë garancish të sigurisë janë të gatshëm aleatët e saj t’i ofrojnë, pas pranimit të sinjaleve se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin diskutimet me të cilat synohet përfundimi i luftës./Nacionale












