Deputetët e VV-së janë kanë venë në shënjestër gjyqtarët e PZAP-së, të cilët do të vendosin për ankesën Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për moscertifikim për zgjedhjet lokale të tetorit.
Disa prej deputetëve të partisë së Albin Kurtit kanë filluar presionin ndaj këtyre gjyqtarëve, duke i publikuar emrat e tyre. Ndonëse një veprim i tillë po shihet si i dënueshëm, ata nuk janë ndalur.
Në profilet e tyre në rrjetet sociale deputetët e partisë së Albin Kurtit kanë kërkuar nga gjyqtarët e këtij paneli që të mos e certifikojnë Listën Serbe.
E para që e ka kërkuar një gjë të tillë ka qenë deputetja e VV-së, Adriana Matoshi, i ka dalë punë të merret me certifikimin e Listës Serbe.
Në profilin e saj në “Facebook”, Matoshi ka shkruar se këtë shans historik e kanë në dorë tre gjyqtarë në PZAP.
“Nuk ka akt më t’madh patriotik se mos-certifikimi i Listës Serbe. Këtë shans historik e kanë në dorë tre gjyqtarë në PZAP! Në k’si raste mirë o me i ra ne mend për Afrim Bunjakun dhe Enver Zyberin”, ka shkruar Matoshi.
Edhe më skandaloz në këtë drejtim ka qenë deputeti tjetër i VV-së, Arbër Rexhaj
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka publikuar linkun e faqes së PZAP-së për t`i parë emrat e gjyqtarëve gjithë qytetarët.
Ai i ka pyetur qytetarët, nëse ndonjërin prej tyre po e njohin.
“Fatin e Kosovës tash e kanë në dorë 3 – që zgjedhen me short– nga këta 10 gjyqtarët e PZAP. A po e njihni ndonjërin? Anëtarët e PZAP”, ka shkruar ai.
Të njëjten gjë e ka bërë edhe deputeti Dimal Basha.
Madje, ai ka publikuar edhe një numër telefoni, duke kërkuar nga qytetarët që të dërgojnë mesazhe.
“Gjyqtarët në PZAP e kanë mundësinë historike mos me certifiku Listën e Vuçiqit, dhe me i dhënë mundësi pluralizmit politik në Veri të vendit! Ky akt do t’ishte shërbim ndaj atdheut, dhe nder ndaj heronjëve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi! Mendoj të gjithë qytetarët duhet t’ua dërgojnë nga një mesazh për t’kërkuar që mos të certifikohet Lista e Vuçiqit”, ka shkruar ai.
Veprimet e tilla të deputetëve të VV-së janë dënuar nga shoqëria civile.
Drejto i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se është i papranueshëm shënjestrimi i gjyqtarëve të PZAP-së nga politikanë e deputetë të Vetëvendosjes.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se një veprim i tilë është akt shantazhi.
“Shënjestrimi, publikimi dhe ekspozimi i gjyqtarëve të PZAP nga deputetë e politikanë të VV-së, para vendimit për certifikimin e Listës Serbe, është akt i papranueshëm shantazhi, kërcënimi dhe presioni politik. Ky veprim përbën ndërhyrje flagrante në pavarësinë institucionale dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Për më tepër, duke qenë se PZAP është paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa i përbërë nga gjyqtarë, çdo presion ndaj tij cenon drejtpërdrejtë besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.