Eugen Cakolli nga KDI ka dënuar sulmet e eksponentëve të VV-së ndaj shoqërisë civile.
Ai ka bërë me dije se këto sulme nuk janë të papritura.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se akuzat e VV-së ndaj shoqërisë civile si “mbrojtëse e Serbisë dhe kriminelëve të tyre” janë thjesht demagogji.
“Sulmet e eksponentëve të LVV-së dhe falangave të tyre digjitale ndaj shoqërisë civile nuk janë të papritura. Çdo pushtet që e ndjen veten të dobët përballë argumenteve, e kthen debatin në fushatë linçimi. Akuzat ndaj shoqërisë civile si “mbrojtëse e Serbisë dhe kriminelëve të tyre” janë thjesht demagogji dhe patriotizëm i rremë. Ironia është se shoqëria civile përbëhet nga organizata dhe aktivistë që figurat kryesore të LVV-së deri dje i lartësonin dhe citonin publikisht, e madje i ftonin në lista zgjedhore si front i përbashkët politik”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se këto sulme do të vazhdojnë.
“Këto sulme me gjasë do të vazhdojnë. Jo pse shoqëria civile ka ndryshuar kurs, por sepse për shumë prej tyre – sidomos këta të “zëshmit” – mbajtja gjallë e temave që disi ndërlidhen me Serbinë është oksigjeni i vetëm politik që u ka mbetur. E po ua hoqe këtë kartë, për çfarë “suksesi” tjetër do t’i njihte publiku?”, ka shkruar ai.