Ka ardhur reagimi i parë i eksponentëve të pushtetit ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25.
Goditjen e parë i ka dhënë kush tjetër pos analistit të njohur pro VV-së, Sadri Ramabaja.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky është një bllokim i paramenduar dhe tallje me Republikën.
“Sot u bë publik vendimi i GJK dhe masa e përkohshme me këtë arsyetim: & 55. “, Gjykata, në dritën e sqarimeve të lartcekura, vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”. Funksionalizimi i jetës parlamentare dhe krijimi i Qeverisë së re qenkan rreziku që do të mund t’na ndodhte dhe si i tillë ai do të ishte “dëmi i pariparueshëm”! Çfarë ti thuhet kësaj?! Bllokim i paramenduar dhe tallje me Republikën”, ka shkruar Ramabaja.