Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Lista Serbe në garë për të rimarrë veriun, fajësohet për krizën e komunitetit

16/09/2025 - 15:17
në Lajme
A A
Lista Serbe në garë për të rimarrë veriun, fajësohet për krizën e komunitetit
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Ndërsa Lista Serbe e nisi fushatën zgjedhore me një “numërim mbrapsht deri në rënien e kryetarëve të rremë të komunave” në veri të Kosovës, partitë e tjera politike serbe, që garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, e akuzojnë këtë parti si përgjegjëse për gjendjen e vështirë të komunitetit serb.

Disa parti dhe iniciativa qytetare në veri zotohen, gjithashtu, se do t’i rishikojnë ose shfuqizojnë vendimet e mëparshme të autoriteteve lokale dhe se çdo vendim i ri do të merret në konsultim me qytetarët.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e vetmja në vend që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – premton se vendimet e autoriteteve aktuale lokale në komunat e veriut të Kosovës do të anulohen.

Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe inicioi tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në prill të vitit 2023.

Kjo çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të komunave, të cilët mbetën në detyrë deri në fund të mandatit, sepse Lista Serbe, edhe në prill të vitit 2024, bëri thirrje për bojkotimin e votimit për shkarkimin e tyre.

Por, në zgjedhjet e 12 tetorit, kjo parti do të ketë kandidatë për kryetarë në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Përveç saj, në komunat me shumicë serbe do të garojnë edhe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.

Lista Serbe në betejë për veriun

Gjatë hapjes së fushatës parazgjedhore më 13 shtator në Mitrovicë të Veriut, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se “të gjithë mezi e prisnim këtë ditë – ditën që shënon fillimin e shkarkimit të kryetarëve të paligjshëm dhe të rremë të [liderit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin] Kurti dhe ndjekësve të tij”.

“Ka ardhur koha për t’i çliruar katër komunat tona në veri të Kosovës dhe për t’i mbajtur të gjashtë komunat në jug të lumit Ibër”, tha ai.

Po atë ditë, në Mitrovicë të Veriut u mbajt një tubim, ku u prezantuan kandidatët për këshilltarë komunalë, si dhe kandidati për kryetar komune, Millan Radojeviq, i cili udhëhoqi Mitrovicën e Veriut deri në nëntor të vitit 2022, kur edhe dha dorëheqje në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Radojeviq tha në atë tubim se ka ardhur koha “për t’i kthyer komunat tona, për ta kthyer qytetin tonë, për ta kthyer Mitrovicën në duart e popullit të Mitrovicës dhe që populli i Mitrovicës të udhëheqë dhe të vendosë për fatin e tij”.

Por, vëmendjen e publikut e tërhoqi më së shumti pankarta “Të gjithë për vëllanë Millan” – e interpretuar si mbështetje për Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Për shkak të kësaj pankarte, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për çka zotohen partitë tjera politike?

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë iu drejtua votuesve në Graçanicë – komunë me shumicë serbe pranë Prishtinës – duke vënë në dukje mungesën e një spitali të ri në këtë komunë.

Demokracia Serbe thotë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund mbizotërimit të Listës Serbe dhe për të rikthyer jetën normale.

Ajo premton ndërtimin e një tregu mbi urën e re në Mitrovicën e Veriut, rikthimin e transportit hekurudhor në Zveçan, një të ardhme më të mirë për të rinjtë në Zubin Potok, si dhe përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe infrastrukturës rrugore në Leposaviq.

Lëvizja Popullore Serbe premton se “do të punojë në interes të popullit, ndryshe nga ata që na udhëhoqën drejt shkatërrimit”, duke aluduar te Lista Serbe.

Aleanca Kosovare u premton votuesve se “do ta ndalojë kriminalitetin” dhe “do ta ndërtojë Kosovën dhe Metohinë si një oazë multietnike të drejtësisë, lirisë dhe prosperitetit”.

Disa iniciativa qytetare lokale kanë kandidatë vetëm në një komunë.

Një prej tyre është Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”, e cila ka prezantuar programin për Mitrovicën e Veriut me disa pika, nën titullin “Për qytetin e shpresës së re”.

Sipas kësaj iniciative, ka ardhur koha që të “rikthehet dinjiteti” dhe “jeta normale”.

Ajo deklaron, gjithashtu, se vendimet e “autoriteteve të paligjshme” do të rishikohen dhe do të hapen për debat publik, dhe se “çdo vendim i dëmshëm ose i imponuar do të anulohet”.

Iniciativa Qytetare “Fytyra e re – Drejtësia popullore”, e cila ka kandidatë për kryetarë komune në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, thotë se dëshiron t’i ndryshojë gjërat dhe se fokusi i saj është në problemet e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

Iniciativa Qytetare “Rrënjët”, e cila garon në Leposaviq, thotë se dëshiron që zëri i popullit të dëgjohet dhe se është e nevojshme që “jeta të ndryshojë nga rrënjët”.

Pluralizmi i kandidatëve nuk shoqërohet me pluralizëm idesh

Boban Simiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, thotë për Radion Evropa e Lirë se fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sidomos në veri të Kosovës, ka filluar si pluralizëm formal, por pa ndryshime të dukshme në programet dhe idetë e partive.

Ai thekson se në garën për kryetar të Mitrovicës së Veriut janë dhjetë kandidatë, por, në praktikë, të gjithë ofrojnë të njëjtat politika dhe mesazhe, të cilat e kanë çuar komunitetin serb në krizën dhe izolimin aktual institucional.

“Fushatat janë të përqendruara kryesisht në çështje më të gjera politike, prandaj humbet mundësia që qytetarët të kenë zgjidhje konkrete dhe të arritshme për problemet e tyre të përditshme”, thotë Simiq.

Ai shton se kandidatët, në vend që të ofrojnë zgjidhje të realizueshme, përdorin retorikë që nxit frikë dhe pakënaqësi.

“Kjo tregon se edhe pse ka shumë kandidatë, nuk ka shumë ide të ndryshme”, sipas tij.

Megjithatë, Simiq thekson se për komunitetet serbe dhe komunitetet e tjera joshumicë, është me rëndësi thelbësore që të kenë përfaqësues të zgjedhur në mënyrë legjitime.

“Edhe pse fuqitë e tyre janë të kufizuara, ata prapë mund t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe – së paku pjesërisht – të rikthejnë besimin në institucione”, thotë Simiq.

Popullsia lokale serbe e katër komunave në veri të Kosovës nuk i pranon kryetarët shqiptarë, prandaj edhe ka organizuar protesta më herët.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë.

Prej tyre, 2.025.105 do të votojnë në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43.993 janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.

Për këto zgjedhje do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime. /REL

JU REKOMANDOJMË

Arifi për Kurtin: Veteran i rrejshëm, i arrestuar në banesë duke këqyrë Deutsche Welle’n
Lajme

Arifi për Kurtin: Veteran i rrejshëm, i arrestuar në banesë duke këqyrë Deutsche Welle’n

16/09/2025 - 18:30
Edi Rama publikon pjesë të dëshmië ku Rubin kritikon Specialen: Proces shtangës që ka njollosur drejtësinë ndërkombëtare
Kryesore

Edi Rama publikon pjesë të dëshmië ku Rubin kritikon Specialen: Proces shtangës që ka njollosur drejtësinë ndërkombëtare

16/09/2025 - 18:26
Blerim Latifi: VV shihej si parti e pakorruptuar, kjo gjë ka filluar të ndryshojë
Lajme

Rubin u përgatit mbi 100 orë për dëshminë e tij, Latifi: Kështu fitohen betejat, jo me folklor digjital

16/09/2025 - 18:22
“Pra, duhet ta gjej një dhomë hoteli” – Rubin deshi që të përfundoj dëshminë sot, por nuk iu aprovua kërkesa
Lajme

“Pra, duhet ta gjej një dhomë hoteli” – Rubin deshi që të përfundoj dëshminë sot, por nuk iu aprovua kërkesa

16/09/2025 - 18:12
Bislimi për gazetën ukrainase: Ne duhet të jemi gati për luftë, Banjska tregon se ne duhet të jemi të përgatitur në çdo kohë
Lajme

Bislimi: S’e kemi targetuar asnjë institucion shëndetësor, propagandë serbe

16/09/2025 - 18:02
Presidentja diskuton rreth mundësië që ajo ta dërgojë draft-statutin në Gjykatë- “S’mund ta bëjë pa një akt të Qeverisë”
Kryesore

Heshtja shurdhuese e pushtetit për dëshminë e Rubinit në Hagë: Presidenca e Qeveria nuk flasin as pas dy ditësh

16/09/2025 - 17:44

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ky është i dyshuari për vrasjen në Ferizaj

    Ky është i dyshuari për vrasjen në Ferizaj

    193 Shpërndaje
    Shpërndaje 77 Tweet 48
  • E rëndë: Shoferi i kamionit pësoi sulm dhe goditi 20 vetura, u gjet i vdekur

    137 Shpërndaje
    Shpërndaje 55 Tweet 34
  • Ky është 40 vjeçari Brahim Ramusa që mbeti i vrarë në Ferizaj

    115 Shpërndaje
    Shpërndaje 46 Tweet 29
  • Alban Krasniqi del në Facebook pas dëshmisë së James Rubin, mundohet ta sulmojë Hashim Thaçin

    111 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • Skandal me akuza për spiunazh – Kapiteni i Policisë, Agim Vitia, rezulton i pafajshëm, pritet kthimi i tij në punë

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë