Një fëmijë është shpëtuar pas një incidenti të rëndë, pasi ka rënë në ujë në një nga restorantet e qytetit të Mitrovicës.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, fëmija fillimisht është trajtuar nga ekipi i Urgjencës së Qytetit dhe më pas është dërguar në Emergjencën e spitalit në gjendje të rënduar shëndetësore.
“Në vendngjarje kishte qëlluar pediatrja e Spitalit, Dr. Pranvera Rexha, e cila kishte reaguar menjëherë me masa reanimatore”, thuhet në njoftim.
Spitali bën të ditur se me mbërritjen e fëmijës në Emergjencë, stafi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë masat e reanimimit.
“Me të mbërritur në Emergjencë, menjëherë janë ndërmarrë masat reanimuese nga stafi emergjent, specialistja e emergjencës Dr. Mirjeta Binakaj Gërxhaliu, si dhe ekipi i anestezionit i udhëhequr nga Dr. Veton Pllana”, thuhet në njoftim.
Në ndërhyrje kanë marrë pjesë edhe infermierët Gjyljeta Hajdari, Saranda Rexha, Luljeta Sadiku, Afrim Syla, si dhe teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Gjyljeta Hajdari.
Pas stabilizimit të gjendjes, fëmija është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nën përcjelljen e ekipit mjekësor.
“Pas reanimimit dhe stabilizimit të gjendjes, fëmija është transferuar në QKUK me përcjellje nga mjeku emergjent dhe infermierët për trajtim të mëtejshëm, me parametra mjekësorë më stabilë”, thuhet në njoftimin e spitalit.












