James Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të martën deklaroi se gjatë periudhës së Konferencës së Rambujesë kur i ra më shumë që të takohej me Thaçin, e dinte që ky i fundit kishte epror.
James Rubin tha se me kë konsultohej dhe çfarë bisedonin, ai nuk ia thoshte asnjëherë, por që i thoshte se duhej ta bënte këtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Hashim Thaçi asnjëherë nuk më ka thënë fjalë për fjalë se çfarë duhet të bënte apo saktësisht se me cilin duhej të konsultohej gjatë periudhës kur më thoshte se i duhej të konsultohej. Ai thjesht, në atëkohë sapo ishim njohur, sapo e kisha takuar atë, e kisha njohur në Rambuje dhe po e njihja më shumë. Ai anglisht nuk fliste. Nuk ishte shumë i hapur me mua dhe as unë me atë. Ne, thjesht po njiheshim me njëri-tjetrin”, tha Rubin.
Diplomati amerikan tha se Thaçi ishte i vagullt në mënyrën se si shprehej, por dihej se kishte epror.
“Ai nuk më tregonte mua se çfarë po bënte dhe çfarë do të bënte. Por, ishte e qartë se ai kishte epror diku nga të cilët duhej të merrte miratimin. Ai ishte i vagullt në mënyrën se si shprehej”, tha ai.
Si rrjedhojë e qasjes së Thaçit, Rubin tha se kuptoi që në këtë proces ishte i rëndësishëm Adem Demaçi.
“Ai thoshte se duhej të konsultohej me komunitetin, me udhëheqësit, me popullin. Ai ishte shumë i vagullt në gjuhën që përdorte e cila edhe përkthej. Kështu që unë kuptova që ishte i rëndësishëm Demaçi se e dija se çfarë qëndrimi kishte ai sepse Demaçi kishte folur me Albright dhe e dinim që ishte një nga disa personat që nuk ishin në favor të Rambujesë, në mënyrë kategorike jo”, tha James Rubin.
Ai theksoi se fakti që Thaçi dëshironte të fliste me Demaçin, ishte që dëshironte t’i përfshinte të gjithë në proces.
“Fakti që donte të fliste me të ishte që ai dëshironte që t’i përfshinte të gjithë në proces. Unë nuk e di se pse e bënte ai këtë. A ishte e nevojshme apo i kërkohej prej dikujt, unë këtë nuk e di”, tha James Rubin.
Kur u pyet se themelues i kujt ishte Demaçi, Rubin tha se e tërheq fjalën. por më e drejtë ishte të thuhej një “përkrahës ideologjik”.