Pensionin social prej 120 eurosh, i cili është burimi i vetëm i të ardhurave, mund ta humbasë për 1 vit.
73-vjeçarja nga Dobrushti i Prizrenit, Nafije Gutaj, e paditi nipin e saj Selmanin për borxhin e rrymës, që u detyrua ta paguajë e vetme për dy vjet, ani pse në shtëpinë dykatëshe thotë se jetoi edhe familja e Selmanit, raporton Kiks Kosova.
Pavarësisht provave që dërgoi në Gjykatë, e aktgjykimeve të mëhershme mes palëve, Gjykata e Prizrenit vendosi në favor të nipit të saj, duke e detyruar 73-vjeçaren përveç që ta mbulojë borxhin e mbetur të rrymës, po ashtu të paguajë edhe mbi 1 mijë euro shpenzimet e procedurës kontestimore.
Më shumë se vitet, Nafije Gutajn e rënduan problemet me të cilat u përball pas vdekjes së bashkëshortit.
Në moshën 34-vjeçare, Nafija nga Murademi, e martuar në Dobrusht të Prizrenit, mbeti e ve me 3 vajza. Bashkëshorti i saj vdiq në moshën 36-vjeçare pasi nuk i përballoi më plagët e një aksidenti të rëndë nga i cili mbeti i paralizuar për 10 vjet.
Me shumë mund e sakrifica, Nafija rriti e vetme tri vajzat e saj. Për shkak të dëmeve të luftës e kushteve të rënda ekonomike, 5 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo pohon se organizata “Nova Frontera” ia ndërtoi një shtëpi njëkatëshe me tri dhoma.
Shtëpia ajo pretendon se u ndërtua në truallin që u ble nga kunetërit e saj me paratë e dëmshpërblimit që morën nga personi i cili e shkaktoi aksidentin që ia mori jetën bashkëshortit të saj.
Në vitin 2007, Selmani, djali i motrës së Nafijes dhe i kunatit të saj, prishi kulmin e shtëpisë së saj të re dhe mbi të ndërtoi një kat të dytë dhe shkoi të jetonte me të.
Qetësia mes tyre u prish në vitin 2011, kur një tokë e familjes Gutaj u shpronësua për autostradë, dhe Nafijes nuk iu dha asnjë pjesë nga kompensimi, ndonëse ajo pretendonte se kishte hisen e bashkëshortit të saj.
Për më tepër, ndiqeni kronikën në vijim: