Në fshatin Llugë të Podujevës u përurua sot shtatorja e heroit të kombit Afrim Zhitia, si dhe u bë rinovimi i obeliskut dhe mjedisit përreth.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe nderimit të figurave kombëtare, duke përmendur rezistencën heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
“Sot, në vendlindjen e Afrimit, po i shtohet edhe një vepër komemoruese publike djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës. Shoqëritë më përparimtare të botës kanë sjellë politika të ndryshme të kujtesës për ngjarjet e tyre historike dhe për figurat më të rëndësishme kombëtare. Kështu, vitin e kaluar, më 2 nëntor 2024, u patëm takuar bashkë në akademinë në Prishtinë. Fahri Fazliu dhe Afrimi rezistuan të armatosur deri në vdekje. Sivjet, derisa po i afrohemi dekadës së katërt, jemi bashkuar në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrimit. Sot po i shtohet edhe një skulpturë, një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës”, shtoi ai.
Ali Ahmeti: Afrim Zhitia kryeredaktori i lirisë që kërkohej nga qielli por vepronte në tokë
Ish eprori i UÇK-së, njëherit kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka marrë pjesë në përurimin e shtatores së heroit Afrim Zhitisë në Llug të Podujevës. Nga aty vlerësoi lartë rolin e kontributin e Afrim Zhitisë., raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Afrim Zhitia ishte kryeredaktori i lajmëtarit të lirisë që punonte nën hundën e Beogradit.
“Vllezër e motra këtu , me ndihmë e institucioneve dhe angazhimin e kryetari të Podujevës po ngritët shtatorja e Afrim Zhitisë, sekretarit organizativ të Lëvizjes Kombëtare. Sot po ngritët shtatorja e kryeredaktorit të parë të gazetës ilegale ‘Minatori’, mu në ngjarjen më të mëdha që ndodheshin në Kosovë. Sot po ngritët shtarorja e Afrim Zhitisë së kryeredaktorit të lajmëtarit të lirisë, gazetë që vepronte nën hundën e Beogradit. Ky ishte kryeredaktori që kërkonim në qiell dhe ai vepronte në tokën mëm të Kosovës. Sot po ngritët shtatorja e Afrim Zhitisë, organizatorit dhe ideatorit të parë që rezistencën nga ajo në rrugë të shndërrojmë në rezistence reciprociteti në forcë i përgjigjemi pushtues janë ngrit celulat e para nga Afrim Zhitia”, u shpreh Ahmeti.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë përurimit të shtatores së heroit Afrim Zhitia në Llugë të Podujevës, ka thënë se duhet të bëhet kujdes që të ruhet kujtesa historike, raporton Ekonomia Online.
“Ne duhet të qëndrojmë të kujdesshëm që kujtesa jonë historike të ruhet, që e kaluara të jetë udhërrëfyes për të ardhmen dhe sa herë që kemi mundësi, ta paraqesim ashtu siç është. Ky akt i tillë i rezistencës në kohën e lirisë e ka përshpejtuar atë që ndodhi në Prekaz me komandantin legjendar e deri te liria e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.