Pas anulimit të një tenderi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më në fund e ka gjetur kompaninë që do t’i kryej shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, KQZ e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “3P SHPK”, me çmim 268 mijë e 900 euro, shkruan Reporteri.net.
“Pas kërkesës se AK-KQZ per zbritje te çmimeve ne harmoni me proceduren e negociuar OE 3P ka ofruar çmimin total prej 229,960.00€”, thuhet në fund të dokumentit.

Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar për dje.
“Përmes këtij aktiviteti të prokurimit, do të bëhet kontraktimit i OE që do të kryej shërbimet postare për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit që deklarojnë vendqëndrimin jashtë kontinentit të Evropës në mënyrë që fletëvotimet tu arrijnë në kohë”, thuhet në dokument.
E njëjta kompani kishte aplikuar edhe në tenderin që u anulua para një muaji, veçse atëherë më çmim 361 mijë e 132 euro, e pas zbritjes 299 mijë e 630 euro. Ndërkohë, vlera që kishte parashikuar KQZ ishte 230 mijë euro.
Shërbime të njëjta ofrohen edhe nga Posta e Kosovës, mirëpo shkaku i kohëzgjatjes së arritjes së dërgesave, është konstatuar se Posta s’mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove në 22 shtete.
“Duke marrë parasysh që shërbime të njëjta ofrohen nga autoriteti publik Posta e Kosovës, Sekretariati ka mbajtur takime me përfaqësuesit e tyre ku jemi informuar se kohëzgjatja e arritjes së dërgesave në kontinentet jashtë Evropës është afërsisht 2 javë, si dhe Posta e Kosovës nuk mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtetet, andaj është i nevojshëm kontraktimi i OE që kanë autorizime ose marrëveshje me kompanitë ndërkombëtare të postave të shpejta (Express) në mënyrë që KQZ të përmbushë obligimet ligjore për operacionin e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet Lokale 2025”, thuhet në dokument.












