Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben-Meir ka dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë dhe të ashpër mbi gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se Kurti dështoi të tregojë shtetari të vërtetë për ta drejtuar vendin në rrugën e duhur, dhe sipas tij, ai tani duhet të përballet me realitetin e pashmangshëm që e ka shpërfillur vazhdimisht.
Në një opinion të publikuar së fundmi, Ben-Meir thekson se, Kurti ka refuzuar disa propozime të ndërmjetësuara nga ShBA që mund ta kishin çuar dialogun përpara.
“Ai shihet si nacionalist që fokusohet tepër te sovraniteti i Kosovës, duke lënë pas dore nevojat urgjente për zhvillim ekonomik, luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.”, shkroi ai.
Sipas tij, Kryeministri Kurti ka dështuar të tregohet burrë shtetas i vërtetë, në një kohë kur vendi kishte më së shumti nevojë për vizion dhe përkushtim ndaj aleatëve strategjikë.
“Kurti dështoi në provën e shtetarisë. Kur një vend përballet me tensione të rritura politike brenda dhe jashtë, shtetaria bëhet jetike për të ardhmen dhe mirëqenien e tij. Deri më tani, Kurti ka dështuar të tregojë shtetari pikërisht kur ishte më e nevojshme,” shkruan Ben-Meir.
Duke analizuar vendimin e Uashingtonit, ai e cilëson atë si përplasjen më të fortë në marrëdhëniet ShBA-Kosovë që nga viti 2008, duke theksuar se ndërprerja e këtij bashkëpunimi strategjik zhvesh Kosovën nga një mbrojtje jetike ndërkombëtare në skenën globale.
“Tani që kjo mburojë është thyer, rreziqet për Kosovën janë të mëdha,” paralajmëron ai.
Ben-Meir vë theksin edhe te marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me BE-në dhe dështimi i Kurtit për të respektuar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai kritikon edhe qasjen nacionaliste të Kurtit dhe mungesën e fokusit në çështjet thelbësore si zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe tërheqja e investitorëve të huaj.
“Preokupimi i Kurtit me çështje të vogla dhe konfliktuale me serbët etnikë dhe paaftësia ose mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar e për të bërë kompromis me mbështetësit e tij kryesorë – ShBA-në dhe BE-në – kanë treguar qartë mungesën e tij të shtetarisë,” shkruan mes të tjerash ai.