Një incident i rëndë ka ndodhur në një aheng familjar në fshatin Pavlan të Pejës, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 21 shtator 2025, kur policia ka marrë informacion për të shtëna gjatë ahengut. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet patrulluese dhe ato hetimore, të cilat kanë hasur të dyshuarin Rame Kelmendi rreth 55-vjeçar.
Fillimisht, i dyshuari nuk ka pranuar të ketë pasur të shtëna me armë dhe ka qenë jo bashkëpunues. Megjithatë, gjatë kontrollit në afërsi të shtëpisë së tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar 7 gëzhoja të kalibrit 9×19 mm dhe 3 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.
Kelmendi është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit ka deklaruar se të shtënat i kanë kryer persona të panjohur që kishin marrë pjesë në aheng, por ai nuk i ka raportuar në polici edhe pse i ka dëgjuar.
Me urdhër të prokurorit është kryer kontroll në shtëpinë, personat dhe automjetet e të dyshuarit, por nuk është gjetur asnjë armë zjarri. Pas arrestimit dhe intervistimit, ai është liruar me procedurë të rregullt.
Sipas urdhrit të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rast për dy vepra penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Moslajmërim i veprës penale apo kryesve të tyre”.












