Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Kinën të premten vonë me tarifa shtesë prej 100 për qind, si dhe me anulimin e një takimi me presidentin kinez Xi Jinping, duke e ringjallur luftën tregtare me Pekinin për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kufizimet e eksporteve të mineraleve të rralla.
Trump tha se tarifat shtesë, së bashku me kufizimet e reja të SHBA-së mbi “çdo lloj softueri jetik”, do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e quajti veprim “jashtëzakonisht agresiv” të Pekinit.
“Është e pamundur të besosh se Kina do të ndërmerrte një veprim të tillë, por e bëri, dhe pjesa tjetër është histori”, tha ai në platformën e tij Truth Social.