Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato janë një moment kyç për fatin demokratik, institucional dhe ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në këtë datë, qytetarët nuk votojnë thjesht për parti apo kandidatë, por vendosin nëse shteti do të qeveriset në interes publik apo do të mbetet peng i një pushteti narcisist, të mbyllur në vetvete dhe të shkëputur nga realiteti ndërkombëtar.
Në demokraci, vota është instrumenti suprem i sovranitetit popullor. Ajo është mekanizmi më i fuqishëm për ta kontrolluar pushtetin, për ta ndëshkuar arrogancën politike dhe për ta rikthyer shtetin në shërbim të qytetarit. Për Kosovën, një shtet ende në proces konsolidimi, kjo votë ka peshë historike dhe strategjike.
Pushteti narcisist – kërcënim për shtetin dhe integrimin Kosova sot përballet me një rrezik serioz: personalizimin e pushtetit dhe zëvendësimin e interesit shtetëror me interesa egoiste politike.
Pushteti narcisist nuk ndërton institucione, por i përdor ato. Nuk forcon shtetin, por e shndërron në mjet propagande. Nuk afron Kosovën me aleatët strategjikë, por e izolon dhe e dobëson pozitën e saj ndërkombëtare.
Ky lloj pushteti karakterizohet nga:centralizimi i skajshëm i vendimmarrjes,përjashtimi i dialogut politik dhe institucional,nënçmimi i kritikës dhe mediave,dhe përdorimi i shtetit për vetëlavdërim dhe mbijetesë politike.
Në një realitet të tillë, vota e qytetarëve bëhet akt rezistence demokratike. Vota për shtetin, jo për egon e pushtetit Më 28 dhjetor 2025, qytetarët e Kosovës duhet të votojnë për shtetin funksional, për ligjin, për dinjitetin institucional dhe për të ardhmen euroatlantike, jo për teke personale dhe projekte politike pa vizion shtetëror.
Vota është:votë për lirinë, kundër arbitraritetit dhe autoritarizmit;votë për dinjitetin, kundër nënçmimit të qytetarit dhe institucioneve;votë për të ardhmen, kundër izolimit dhe stagnimit ndërkombëtar. Mosdalja në zgjedhje ose relativizimi i votës i shërben vetëm pushtetit narcisist, jo shtetit.
Test për demokracinë dhe për aleatët ndërkombëtarë Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë edhe test për besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Partnerët tanë strategjikë – SHBA, BE dhe vendet mike – nuk matin deklaratat, por sjelljen demokratike.
Një proces i lirë, i ndershëm dhe me pjesëmarrje të lartë qytetare e forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe e rikthen besimin në shtetin e saj. Një pushtet i dalë nga vota e lirë dhe e ndërgjegjshme është garanci për stabilitet, bashkëpunim dhe integrim, ndërsa një pushtet i mbyllur në narcisizëm është barrë për shtetin.
28 dhjetori – referendum për të ardhmen Këto zgjedhje janë, në thelb, referendum qytetar për drejtimin e Kosovës. Qytetarët kanë në dorë armën më të fuqishme demokratike – votën – për ta mbrojtur shtetin nga arroganca politike dhe për ta rikthyer qeverisjen në shërbim të interesit publik.
Më 28 dhjetor 2025 vendoset nëse Kosova do të ecë përpara si shtet demokratik, i respektuar dhe i integruar, apo do të mbetet peng i një pushteti narcisist, pa vizion dhe pa përgjegjësi.














