Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kur absurdi i shtetit bektashi bëhet normalitet: Deliri mesjetar i një republike të marrë peng

22/08/2026 - 11:56
në Opinione
A A
Kur absurdi i shtetit bektashi bëhet normalitet: Deliri mesjetar i një republike të marrë peng
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp
OSE

Shkruan: Adri Nurellari

Rikthimi i debatit për të ashtuquajturin “shtet bektashi” dëshmon qartë se si absurdi mund të riciklohet vazhdimisht në mënyrë kokëfortë, derisa të pranohet e të shitet si normalitet. Në cilin vend normal të botës një kryeministër zgjohet në mëngjes dhe vendos, me arrogancën e një despoti feudal, të falë copa të territorit kombëtar për të ngritur një mikroshtet teokratik mu në mes të kryeqytetit? Dhe këtu, ndoshta gjëja më shqetësuese nuk është vetëm vetë ideja, por lehtësia marramendëse me të cilën flitet për copëtim sovraniteti, krijim mikroshtetesh fetare dhe ndryshim kufijsh brenda territorit të Republikës, sikur të ishte duke propozuar hapjen e një muzeu apo themelimin e një OJQ-je të re.

Por edhe më alarmues është fakti se një propozim i tillë nuk shkakton tronditjen publike që do të pritej. Diskutohet me një normalitet të habitshëm, sikur sovraniteti i Republikës të ishte një çështje teknike. Kjo tregon deri ku ka mbërritur degradimi i debatit publik dhe izolimi ynë mendor. Kur pushteti qëndron tepër gjatë pa kundërpesha reale, pa presion qytetar, pa kontroll ligjor, ai fillon të humbasë jo vetëm vetëpërmbajtjen politike, por edhe sensin e masës. Idetë që dje do të dukeshin të paimagjinueshme në një vend normal, sot hidhen në publik pa pikën e turpit si prova vizioni dhe moderniteti.

Ka gjëra që në demokracitë serioze konsiderohen tabu politike jo sepse mungon liria për t’i diskutuar, por sepse prekin themelet mbi të cilat është ngritur vetë shteti. . Nenin 1 i Kushtetutës e shpall Shqipërinë republikë unitare e të pandashme, dhe Neni 10, sanksionon laicitetin dhe neutralitetin absolut të shtetit ndaj besimeve fetare. Territori, sovraniteti, karakteri unitar i Republikës dhe barazia e bashkësive fetare nuk janë prona personale të një kryeministri, që mund të përdoren për eksperimente politike apo për të prodhuar tituj ekzotikë në mediat ndërkombëtare. Mirëpo kjo sagë groteske nuk është thjesht një lajthitje politike e radhës; është një fyerje brutale ndaj inteligjencës qytetare dhe një atentat i hapur kundër karakterit unitar e laik të Republikës së Shqipërisë. Territori, sovraniteti, uniteti kombëtar dhe Kushtetuta nuk janë prona private të qeverisë, as poça balte që një pushtet i dehur nga vetëkënaqësia i gatuan, i formëson e i thyen si t’i teket për të blerë disa minuta vëmendje në mediat ndërkombëtare.

Pa hyrë fare te çështja nëse shkëputja e një pjese të territorit kombëtar mund të konsiderohet akt i tradhtisë së lartë, ky projekt dëshmon një botëkuptim thellësisht anakronik. Po shpërfillet një nga themelet e shtetit modern, rendi vestfalian i vitit 1648, i cili sanksionon një territor të pandashëm mbi të cilin ushtrohet një autoritet i vetëm dhe suprem. Europa derdhi lumenj gjaku për shekuj me radhë që të ndante altarin nga froni dhe fenë nga pushteti politik. Pra, kontinentit tonë i janë dashur shekuj për të dalë nga një rend ku pushteti fetar dhe ai politik ndërthureshin, ku autoritetet shpirtërore ushtronin pushtet tokësor dhe ku territoret copëtoheshin mes juridiksionesh konkurruese. Ndërsa ne, në shekullin XXI, katandisemi duke diskutuar seriozisht krijimin e një shteti fetar teokratik brenda territorit të një republike laike, një formë qeverisjeje e traditës mesjetare që sot lidhet me raste të jashtëzakonshme si Vatikani dhe Irani. Prandaj duhet thënë shkurt e shqip se të ringjallësh sot mikroshtete me bazë fetare mbi truallin e një republike laike nuk është as modernitet e as tolerancë, por është regres i pastër civilizues.

Këtu hipokrizia bëhet e padurueshme sepse, ndërsa pretendojmë se po ecim drejt Bashkimit Europian, propozojmë të lëvizim në drejtimin e kundërt. Ndërsa recitojmë përditë klishe bajate mbi integrimin europian, tentojmë të fusim në zemër të Shqipërisë një koncept thellësisht anakronik, mesjetar dhe obskurantist. Ky projekt bie ndesh hapur me vetë ADN-në politike dhe juridike të Bashkimit Europian. Kriteret e Kopenhagës dhe i gjithë korpusi i së drejtës europiane ngrihen mbi parimin e panegociueshëm të shtetit të së drejtës, unitetit të rendit ligjor, neutralitetit të shtetit dhe barazisë absolute të komuniteteve para ligjit. Në arkitekturën moderne europiane, shteti vepron si garantues laik i lirive të ndërgjegjes, jo si një oborr feudal që fal sovranitet territorial dhe shpik enklava teokratike me preferenca konfesionale.

Krijimi i një mikroshteti fetar brenda një vendi kandidat jo vetëm që minon rëndë parimin e mosdiskriminimit mes besimeve, por krijon zona gri juridike që kërcënojnë sigurinë dhe standardet e transparencës institucionale. Një entitet sovran “offshore” prej disa hektarësh brenda kryeqytetit, me imunitet diplomatik, kufij më vete dhe jashtë juridiksionit të Policisë së Shtetit apo SPAK-ut padyshim që do konsiderohet si një vrimë të zezë të sigurisë kombëtare dhe një parajsë potenciale për transaksione të errëta financiare. Rrjedhimisht, të trokasësh në dyert e Brukselit duke mbajtur në xhep një pazar sovraniteti mesjetar nuk është axhendë integrimi, por sabotim i hapur i vetë vlerave mbi të cilat ngrihet projekti europian.

Por, para se të konsiderohet primitiv e antieuropian, ky projekt është thellësisht edhe antikombëtar, sepse cenon pabesisht vetë thelbin e harmonisë sonë fetare. Shqipëria nuk e ndërtoi harmoninë fetare duke ngritur kufij mes besimeve, por duke i kapërcyer ato. Madje këtu qëndron edhe epërsia morale e shtetit shqiptar ndaj fqinjëve që, gjatë shtetformimit, synuan homogjenizimin fetar e etnik përmes dëbimit, konvertimit, asimilimit apo shfarosjes së komuniteteve të tjera. Pikërisht ky ka qenë modeli ynë i veçantë, sunitë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë brenda së njëjtës hapësirë politike, nën të njëjtin sovranitet dhe me të njëjtën shtetësi. T’i japësh njërës bashkësi territor, sovranitet dhe shtetësi të veçantë nuk është kurorëzim i këtij modeli, por përmbysje e logjikës së tij. Modeli ynë historik nuk u ngrit mbi mure, kufij territorialë apo imunitete juridike, por mbi barazinë absolute qytetare nën një ligj të vetëm. Toleranca shqiptare funksionoi pikërisht sepse feja nuk u kthye në territor dhe territori nuk u nda sipas fesë. Si mund të mund të predikosh barazinë e feve duke privilegjuar territorialisht njërën prej tyre?

Bektashizmi është pjesë e çmuar e trashëgimisë shqiptare dhe pikërisht për këtë arsye nuk ka nevojë për një shtet brenda Shqipërisë që të fitojë dinjitet apo rëndësi. Nga Naim Frashëri trashëguam një filozofi krejt të kundërt, besimin në shërbim të bashkimit kombëtar dhe jo territorin kombëtar në shërbim të një besimi. Mirëpo t’i japësh një komuniteti të vetëm sovranitet shtetëror nuk është nderim por është diskriminim flagrant, thyerje e paktit qytetar dhe minë me sahat për ekuilibrin mes besimeve në Shqipëri. Këtu duhet shtuar që problemi nuk mbaron te hektarët që do t’i jepen këtij mikroshteti por tek precedenti i rrezikshëm. Në çastin kur Republika pranon parimin se një bashkësi fetare mund të fitojë sovranitet territorial për shkak të identitetit të saj fetar, ajo ka krijuar precedentin që nesër nuk mund t’ua mohojë bashkësive të tjera. Pastaj, nëse Tirana krijon precedentin e mikroshtetit fetar mbi bazë komunitare, me çfarë të drejte morale e diplomatike do ta refuzojë Shqipëria apo Kosova kërkesën për eksterritorialitet dhe autonomi sovrane të Kishës Ortodokse Serbe mbi manastiret në Kosovë apo enklavat në rajon? Ky projekt para armatos drejtpërdrejt narrativat e fqinjëve për copëzim sovraniteti.

Në fund, tragjedia reale nuk qëndron vetëm te deliri i një pushteti që ka humbur çdo sens mase nga mungesa e llogaridhënies. Tragjedia e vërtetë është anestezia vrastare publike dhe kultura e pushtetit që i bën të mundura këto kapriço kryeneçe. Kur një shoqëri mësohet ta gëlltisë absurdin si lajm rutinë të radhës dhe ta diskutojë tjetërsimin e sovranitetit me indiferencë administrative, ai vend ka rënë moralisht në humnerë.

Dhe pikërisht këtu lind nevoja jetike për ta tharë këtë moçal politik e intelektual që po gëlltit çdo normë republikane evropiane. Kjo nuk arrihet me një rotacion banal karrigesh apo ndërrim emrash nëpër zyra, por me një zgjim të thellë të vetëdijes kombëtare dhe një thyerje radikale të mentalitetit nënshtrues që e kapërdin absurdin si normalitet. Europianizimi i vërtetë nuk është fasadë cirku me eksperimente feudale, por përqafim pa kompromis i shtetit modern të së drejtës, i institucioneve të papërkulshme dhe i kufijve të hekurt që një shoqëri e pjekur ia vendos çdo pushteti të dehur. Ka ardhur koha të ngulitet prerazi se shteti nuk është as plaçkë lufte e as çiflig privat i atij që fiton zgjedhjet.

JU REKOMANDOJMË

Pse do të marshoj për lirinë?

Pse do të marshoj për lirinë?
11/09/2026 - 21:30

Shkruan: Naim Kryeziu Kam lindur më 10 maj 2003. Luftën nuk e kam përjetuar. Për UÇK-në kam dëgjuar nga të tjerët, nga familjarët, nga dëshmitë e atyre që...

Më shumëDetails

Mali i Zi, një kriminel lufte dhe integrimi europian

Serwer për draft-statutin: Një dispozitë parasheh kompetenca ekzekutive
08/09/2026 - 15:49

Shkruan: Daniel Serwer Miodrag Vlahoviq, ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi, shkruan: Vdekja e kriminelit të dënuar serb të luftës, Ratko Mladiq, e gjeti Malin e Zi...

Më shumëDetails

Nuk po mbushemi mend. Fare!

Nuk po mbushemi mend. Fare!
05/09/2026 - 10:42

Shkruan: Blerim Shala Sjellje në rreth. Nuk e di cila ditë është. Të duket që këtë lajm e ke dëgjuar tashmë. Mendon që diçka nuk është në rregull...

Më shumëDetails

Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!

Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!
03/09/2026 - 12:11

Shkruan: Ag Apolloni Fjala kryesore në Kosovë duhet të jetë kjo: deradikalizim! Deri tash e kemi lejuar radikalizimin, prandaj gjithçka ka shkuar mbrapshtë. Tash e tutje duhet të...

Më shumëDetails

Mbreti i popullit

Mbreti i popullit
28/08/2026 - 21:51

Shkruan: Petrit Selimi Mbreti Harald V i Norvegjisë u nda nga jeta. Gjatë luftës në Kosovë, ai tregoi dhembshuri të thellë ndaj refugjatëve kosovarë, si pjesë e një...

Më shumëDetails

A ka orë më cinike? – Bota Serbe nderon gjenocidalin Mladic, luftëtarët e lirisë e aleatët e NATO’së po kriminalizohen

A ka orë më cinike? – Bota Serbe nderon gjenocidalin Mladic, luftëtarët e lirisë e aleatët e NATO’së po kriminalizohen
28/08/2026 - 19:15

Vdekja e gjeneralit famëkeq, arkitektit te Srebrenicës dhe akterit gjenocidial – Ratko Mladic ndodhi në një kohë interesante. Në Serbi po bëhen gati për zgjedhje dhe nuk do...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Kusari-Lila nënshkruan vendimin që rregullon çmimet e naftës në tregun Kosovar

    Mandati i ri si ministre për Kusari-Lilen, ky është veprimi i parë i saj

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • Deklarata bombë e nënkryetarit të Kuvendit: Kuvendi nuk është konstituuar

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • AfD kundër pavarësisë së Kosovës? Deputeti gjerman sqaron qëndrimin për Kosovën dhe Serbinë

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • “Një vend ku t’i kapin armët” – Mërgim Lushtaku: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, Kosova ka me qenë në rrezik

    83 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21
  • Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm të mërkurën, a lirohet me automatizëm?

    83 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë