Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Ndarja territoriale. A ka ardhur koha ta zhdukim jugun dhe veriun?

10/08/2026 - 11:06
në Opinione
A A
Ndarja territoriale. A ka ardhur koha ta zhdukim jugun dhe veriun?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan Ben Blushi

Unë jam gjithmonë pro ndarjes territoriale. Duke lëvizur nga një vend në tjetrin, njerëzit i ndryshojnë kufinjtë ekonomikë, politikë dhe administrativë. Në 2000 vjetët e fundit, nga harta e Shqipërisë janë zhdukur pothuajse gjithë qendrat e mëdha ku dikur jetonin mijëra njerëz të cilët me ikjen e tyre e kthyen Butrintin, Apolloninë apo Bylisin në gërmadha. Ne sot mendojmë se sa e bukur ishte jeta poshtë harqeve prej guri apo portikëve të këtyre qyteteve madhështorë por njerëzit që kanë jetuar aty dikur kanë menduar ndryshe.

Ata janë larguar sepse mesa duket një ditë nuk kishin më punë, tokat ishin të thata, uji shterroi dhe fëmijët mërziteshin shpejt. Kështu vendosën të zhvendosen në Fier, në Ballsh dhe në Sarandë apo edhe në Tiranë sic ndodhi me banorët e Albanopolisit të humbur.

Prandaj sot na mungojnë qytetet fantastike ku jetuan heronjtë e lashtësisë, që nga Sarda magjike që dukej si një Manhattan mbi liqenin e Komanit, deri te Stellushi i Matit ku ka lindur Skënderbeu.

Njerëzit ikën që andej pa menduar se po linin pas kujtime që sot i kemi humbur. Asnjë ushtri, asnjë urdhër dhe asnjë parlament nuk mundi ti mbante të lidhur pas varfërisë.

E njëjta gjë ndodh edhe sot. Njerëzit që ikin nga Kukësi, nga Erseka dhe nga Skrapari i bëjnë fshatrat apo qytetet e tyre të pajetueshme.

Disa vjet më parë isha në fshatin tim të origjinës në Blush të Kolonjës, ku nuk kishin mbetur më shumë se njëzet shtëpi të banueshme. Duke parë atë shkreti i dhashë të drejtë katragjyshit tim që u zhvendos në Korcë pa e kthyer kokën mbrapa. Nëse do kishte mbetur aty me shijen e reve në gojë, unë tani do isha njëri nga njëzet burrat e Blushit që sot jetojnë duke mallkuar gjyshërit që nuk zbritën më herët në qytet.

Por pamja e trishtuar e fshatit nga kam origjinën është pak për të më bindur se bashkia e Kolonjës nuk bën dot asgjë për atë katund të mjerë që pas disa dekadash nuk do ekzistojë më.

Në vitin 2004 i propozova parlamentit një ndarje të re territoriale. Atëherë Shqipëria kishte 375 komuna dhe bashki. Si Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit kërkova që të mbeteshin rreth 120 njësi, pra një e treta.

Për fat të keq Kryeministri i kohës as e kuptoi dhe as guxoi ta mbronte projektin që duhet të jetë edhe sot në arkivat e kuvendit i shkelur me këmbë nga deputetët e të dy partive të mëdha, që i trajtonin komunat si lopë dhe kryetarët si vica.

Unë mora mbi shpinë urrejtjen e tyre si një njeri që doja t’i ndaja nga kafshët e punës së përditshme kurse Kryeministri humbi zgjedhjet nga këta deputetë të cilët nuk i votuan më as komunat e tyre, sic ndodh me barinjtë që abuzojnë me kafshët shtëpiake.

Kështu komunat e pangopura që ushqeheshin si shushunja me gjak buxheti mbetën gjallë deri në vitin 2015 kur vendi kaloi në një sistem më rentabël bashkish.

Në përgjithësi ndarjet territoriale ndjekin llogjikën e akuariumit : peshku i madh e ha peshkun e vogël. Pra bashkitë e pasura gëlltisin me rradhë bashkitë e varfra. Megjithatë kjo uri nuk mund të vazhdojë pa fund sepse si anemia ashtu edhe obeziteti janë të dyja sëmundje të dëmshme.

Cështja sot nuk është si do shpëtohen disa bashki nga falimentimi, por si do ndalet falimentimi si një proces i pakthyeshëm që nuk varet vetëm nga madhësia e bashkisë.

Prandaj ndoshta ka ardhur koha që bashkë me shkurtimin, bashkitë e mbetura të Shqipërisë të ndahen ndryshe.

Apo më saktë të rigrupohen.

Ndryshe nga përfytyrimi i njerëzve që nuk e njohin, Shqipëria nuk ngjitet dhe as nuk zbret duke ardhur nga jugu në veri dhe anasjelltas. Korca është më malore se Shkodra, kurse Gjirokrastra e mbushur me turistë është nja një qind metra më lart se Kukësi i zbrazur. Berati është me lart se Lezha, Bilishti është më lart se Puka dhe Pogradeci është 700 metra mbi nivelin e detit kurse Peshkopia 650.

Pra jugu që duket i ulët është i lartë dhe veriu që duket i shumë i lartë është më i ulët.

Për fat të keq ne shqiptarët kemi jetuar një iluzion që duhet ta ketë krijuar izolimi dhe largësia bashkë me letërsinë folklorike.

Ne kemi besuar gabimisht se duke shkuar në veri ka vetëm male dhe duke zbritur në jug ka vetëm fusha.

Nuk është fare e vërtetë.

Malet nxijnë njëlloj si në veri edhe në jug dhe ata që kanë vuajtur nga fjala malok nuk kanë arsye të kompleksohen.

E vërtetë është se natyra e ka ndarë Shqipërinë ndryshe nga njerëzit.

Nëse do të kuptosh cfarë ka bërë natyra duhet të ndjekësh lumenjtë e Shqipërisë. Pothuajse të gjithë burojnë nga malet në lindje dhe duke carë fushat derdhen në perëndim.

Pra nëse kufinjtë mes veriut dhe jugut janë të paqartë si shpatullat e disa burrave të përqafuar, ndarja mes lindjes dhe perëndimit është e pagabueshme. Kush e shikon hartën e Shqipërisë e kupton se kjo gjatësi elegante përbëhet nga tre pjesë.

Mal, fushë dhe bregdet.

Pak a shumë kështu mund të ndaheshin edhe bashkitë e Shqipërisë. Në tre kategori:

Malore, fushore dhe bregdetare.

Kjo ndarje do ta bënte më të lehtë koordinimin e administrimit të tyre nga cdo qeveri duke i shpërndarë fondet e merituara në mënyrë të ndryshme.

Nga trajtimi selektiv i bashkive, ndarja do merrte fuqinë e një reforme që i qetëson edhe qytetet që po humbin bashkitë.

Megjithëse ka një popullsi dhjetë herë më të vogël se të gjitha bashkitë malore të marra së bashku, Himara ka dhjetë herë më shumë të ardhura se Kukësi, Tropoja, Dibra, Librazhdi, Kolonja dhe Skrapari së bashku.

Kjo tendencë do thellohet nëse bashkitë nuk kompensohen me një skemë të re. Himara e pasur do t’i rrëmbejë fuqinë puntore bashkive malore, duke i zbrazur nga njerëzit dhe paratë derisa të vendoset një ekuilibër që s’mund t’i lihet në dorë vetën natyrës.

Por ndarja në bashki malore, fushore dhe bregdetare nuk ka vetëm avantazhe ekonomike por edhe politike.

Ajo do zhdukte konceptin e tmerrshëm të veriut dhe jugut që na ka kushtuar kaq shumë.

Kjo është ndarja më fatale që kemi patur në histori. Ky kufi politik është i panatyrshëm. Ai është krijuar nga njerëzit dhe jo nga natyra.

Koordinatat e reja administrative të shtetit tonë duhet të jenë lindja dhe perëndimi.

Dibra është lindje njëlloj si Përmeti, kurse Lezha është perëndim njëlloj si Saranda. Kamza është në fushë njëlloj si Kavaja, Elbasani dhe Fieri. Asnjëra nuk është më as jug as veri.

Kjo mund të jetë ndarja e fundit territoriale për të paktën tridhjetë vitet e ardhshme.

Prandaj ky është shansi i fundit për të votuar zhdukjen e shëmtuar mes jugut dhe veriut duke korrektuar të shkuarën.

Njëlloj si ai njeriu që ndryshon drejtimin e akrepave të orës që ka mbetur në vend prej disa shekujsh.

JU REKOMANDOJMË

Pse do të marshoj për lirinë?

Pse do të marshoj për lirinë?
11/09/2026 - 21:30

Shkruan: Naim Kryeziu Kam lindur më 10 maj 2003. Luftën nuk e kam përjetuar. Për UÇK-në kam dëgjuar nga të tjerët, nga familjarët, nga dëshmitë e atyre që...

Më shumëDetails

Mali i Zi, një kriminel lufte dhe integrimi europian

Serwer për draft-statutin: Një dispozitë parasheh kompetenca ekzekutive
08/09/2026 - 15:49

Shkruan: Daniel Serwer Miodrag Vlahoviq, ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi, shkruan: Vdekja e kriminelit të dënuar serb të luftës, Ratko Mladiq, e gjeti Malin e Zi...

Më shumëDetails

Nuk po mbushemi mend. Fare!

Nuk po mbushemi mend. Fare!
05/09/2026 - 10:42

Shkruan: Blerim Shala Sjellje në rreth. Nuk e di cila ditë është. Të duket që këtë lajm e ke dëgjuar tashmë. Mendon që diçka nuk është në rregull...

Më shumëDetails

Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!

Mos ki frikë, është një stuhi e vdekur!
03/09/2026 - 12:11

Shkruan: Ag Apolloni Fjala kryesore në Kosovë duhet të jetë kjo: deradikalizim! Deri tash e kemi lejuar radikalizimin, prandaj gjithçka ka shkuar mbrapshtë. Tash e tutje duhet të...

Më shumëDetails

Mbreti i popullit

Mbreti i popullit
28/08/2026 - 21:51

Shkruan: Petrit Selimi Mbreti Harald V i Norvegjisë u nda nga jeta. Gjatë luftës në Kosovë, ai tregoi dhembshuri të thellë ndaj refugjatëve kosovarë, si pjesë e një...

Më shumëDetails

A ka orë më cinike? – Bota Serbe nderon gjenocidalin Mladic, luftëtarët e lirisë e aleatët e NATO’së po kriminalizohen

A ka orë më cinike? – Bota Serbe nderon gjenocidalin Mladic, luftëtarët e lirisë e aleatët e NATO’së po kriminalizohen
28/08/2026 - 19:15

Vdekja e gjeneralit famëkeq, arkitektit te Srebrenicës dhe akterit gjenocidial – Ratko Mladic ndodhi në një kohë interesante. Në Serbi po bëhen gati për zgjedhje dhe nuk do...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Kusari-Lila nënshkruan vendimin që rregullon çmimet e naftës në tregun Kosovar

    Mandati i ri si ministre për Kusari-Lilen, ky është veprimi i parë i saj

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • Deklarata bombë e nënkryetarit të Kuvendit: Kuvendi nuk është konstituuar

    100 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • AfD kundër pavarësisë së Kosovës? Deputeti gjerman sqaron qëndrimin për Kosovën dhe Serbinë

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • “Një vend ku t’i kapin armët” – Mërgim Lushtaku: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, Kosova ka me qenë në rrezik

    83 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21
  • Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm të mërkurën, a lirohet me automatizëm?

    83 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë